10.3 C
Pec
E hënë, 26 Shkurt, 2024

KEDS paralajmëron vështirësi të furnizimit me rrymë, thotë se KEK nuk po i përmbahet planit për prodhim

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike KEDS dhe ajo për Furnizim me Energji Elektrike KESCO, kanë paralajmëruar vështirësi në furnizim me energji elektrike gjatë dimrit në Kosovë, si shkak I rritjes së konsumit.

Sipas një njoftimi për medie të këtyre dy kompanive, edhe prodhimi aktual nga KEK-u është për 120 megavat më i ulët se ai që ishte paraqitur, për çka thonë se kanë reaguar.

Në njoftimin e KEDS-it e KESCO-s, thuhet se këto kompani aktualisht po importojnë rreth 1 milion euro energji elektrike nga jashtë për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve.

“KEDS dhe KESCO po importojnë energji elektrike mbi 1 milion euro në ditë.

Për ta mbuluar këtë gep, pra sasinë e munguar në mes të prodhimit dhe kërkesës, KEDS dhe KESCO po detyrohen të blejnë energji elektrike në vlerë mbi 1 milion euro në ditë. Në aspektin sasior të dy kompanitë bashkërisht po importojnë mbi 7500 megavat brenda 24 orëve ose deri në 400 megavat në orë.

Kjo po ndodh pasi kërkesa ka arritur në mbi 1100 megavat në orë, ndërsa prodhimi vendor nuk mund të tejkalojë më tepër se 700 megavat në orë. Pra, po importohet në kohë piku mbi 35 për qind e energjisë elektrike që konsumohet nga konsumatorët.

Prodhimi aktual është më i ulët se bilanci elektroenergjetik që na ishte paraqitur. Lidhur me këtë, ne kemi reaguar, duke kërkuar nga prodhuesi më i madh vendor, KEK-u, që t’i përmbahet planit, sepse çdo devijim nga plani, në këtë rast mbi 120 megavat në orë minus, paraqet barrë të rëndë për dy kompanitë dhe e vë në vështirësi komplet sistemin elektroenergjetik”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, ky minus aktualisht po mbulohet nga KEDS dhe KESCO, pasi të dy kompanitë janë duke e përballuar këtë kërkesë të madhe për energji elektrike, por duhet të ndërmerren masa të menjëhershme nga secila hallkë e sistemit në mënyrë që të zbuten vështirësitë dhe sistemi të funksionojë më lehtë.

“Rikthimi i prodhimit të energjisë elektrike në bazë të bilancit vjetor të ofruar më herët për muajin dhjetor, nënkupton më pak import dhe, rrjedhimisht, kosto më të ulët.

Megjithatë, është e qartë se problemi mund të bëhet më serioz nëse palët e interesuara të tregut vazhdojnë të dështojnë të përmbushin planet që kanë paraqitur më parë.

KEDS dhe KESCO kërkojnë edhe nga konsumatorët që ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike dhe aty ku kanë mundësi të mos e përdorin për ngrohje. Përdorimi efiçient i saj nënkupton se do të mundë të kalojmë një dimër më të lehtë dhe më të përballueshëm”, thuhet në komunikatën e KEDS dhe KESCO./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...