Është zhvilluar mbrëmë ceremonia e Diplomimit të studentëve të Universitetit ‘Haxhi Zeka’ të Pejës.
Ceremonia solemne është mbajtur në qendër të qytetit, derisa ka marë pjesë edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti, me bashkëpunëtorë nga kabineti qeveritar e ndër ta edhe zv/Ministri në detyrë i Arsimit Taulant Kelmendi, i cili është edhe kryetar i VV-së në Pejë, e ku ky i fundit, ka potencuar pas solemnitetit zyrtar, se Qeveria Kurti, ka investuar mbi 10 milionë euro në Universitetin ‘Haxhi Zeka’.
Postimi i plotë:
Ceremonia e diplomimit në Universitetin “Haxhi Zeka” ishte më shumë se një përmbyllje e procesit akademik, ishte një festë e dijes, përkushtimit dhe sukseseve të studentëve dhe të vetë universitetit.
Në këtë ditë të veçantë, së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, ministren e MINT-it, Rozeta Hajdari, ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi, si dhe stafin akademik dhe studentët, festuam edhe të arriturat e Universitetit në rankimin ndërkombëtar.
Qeveria jonë ka investuar mbi 10 milionë euro në krijimin e infrastrukturës së re të universitetit dhe së shpejti do të fillojë edhe ndërtimi i Inkubatorit të Biznesit, një mundësi e jashtëzakonshme për të rinjtë e Rajonit të Dukagjinit.
Urime të gjithë të diplomuarve!’-ka shkruar zv/Ministri në detyrë i Arsimit dhe kreu i VV-së për Pejën Taulant Kelmendi./Njeshi/