15 C
Pec
E premte, 23 Maj, 2025

Kelmendi thotë se do ti diskutojnë hudhjet e aktakuzave – Hasani: Ka mungesë të llogaridhënies

Qindra aktakuza janë hudhur dhe pritën të hudhen nga Gjykatat, pasi Prokuroria ka ngritur pa respektuar Kodin e Procedurës Penale, e që është intervistimi i të pandehurit para ngritjes se aktakuzës.

Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar të zhvillojë një intervistë me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendin.

Kelmendi është përgjigjur me shkrim duke thënë se në kolegjiumin e radhës me kryeprokurorët, njëra ndër pikat e rendit të ditës do të jetë edhe kjo çështje dhe se pas pranimit të informacioneve të verifikuara do të na njoftojnë për gjendjen reale.

Intervistë për të diskutuar këtë çështje, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar edhe nga Prokuroria e Apelit, si shkallë e dytë.

Në një përgjigje me shkrim, i pari i kësaj Prokurorie, Agron Bajrami ka thënë se në të kaluarën kishte një qasje praktike më të lehtë.

“Po ashtu, sipas Kodit të mëparshëm të Procedurës Penale, konkretisht nenit 152 paragrafi 1, parashihej që të pandehurin në procedurën paraprake e merr në pyetje prokurori i shtetit, por njëkohësisht ishte lejuar që prokurori t’ia besojë këtë veprim policisë. Në praktikën e atëhershme, marrja në pyetje nga ana e policisë është konsideruar si veprim i kryer në përputhje me dispozitat e Kodit dhe si i tillë ka qenë bazë e mjaftueshme për vazhdimin e procedurës. Kjo tregon se në të kaluarën ka pasur një qasje praktike më të lehtësuar, ku prokurorët kanë pasur hapësirë që, varësisht nga rrethanat e rastit, të veprojnë në mënyrë të arsyeshme pa dalë jashtë kornizës ligjore”, ka thënë ai.

Bajrami ka shtuar se në disa raste marrja në pyetje e të pandehurit nuk është realizuar për shkaqe objektive, si arratia apo shmangia e ftesave. Në këto raste, për të mos lënë procedurën penale pezull, prokurori, pas vlerësimit të provave dhe bazës ligjore, thotë se paraqet aktakuzën duke vlerësuar se kushtet ligjore janë përmbushur.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori universitar Fejzullah Hasani, thotë se ka mungesë të llogaridhënies.

“Bëhet fjalë për çështje elementare, mjaftoj të dish të lexosh juridikisht, nuk është për çështje që kërkojnë kumeditë çfarë ekspertizë, kumeditë çfarë eksperience të gjatë, po këtu është vetëm mungesë e veprimeve neglizhente dhe mungesë llogaridhënies, por primare është mungesa e llogaridhënies. E thashë nëse ju bëni gabime të tilla dhe akuza hudhet për një rast të zëmë vrasje, terrorizëm që paraqesin shkallë të lartë të rrezikshmërisë, ju do të duhej të shkoni menjëherë nga ai funksion, çdo kund në botë nuk ka pardon më drejtësi”, ka thënë ai.

“Duhet secili organ i drejtësisë penale ta kryej punën e vet, Policia të mos dërgoj kallëzime penale pa prova në prokurori dhe prokuroria mos të ngritë aktakuzë, eventualisht gjykatat të mos lejoj filtrin e aktakuzave të dobëta, të kaloj filtrin e gjykatës”, ka thënë në anën tjetër avokati, Yll Zekaj.

“Fatkeqësisht, tanimë kemi një numër të madh të veprave penale në të cilat nuk mund të vendoset drejtësisë, për faktin e vetëm se të pandehurit nuk janë marrë në pyetje në fazën hetimore. Si IKD vite më parë kemi paralajmëruar për këto probleme të cilat nuk janë marrë parasysh nga sistemi prokurorial dhe sot shohim pasojat praktike të këtyre lëshimeve”, është shprehur Astrit Kolaj, hulumtues i lartë në IKD.

Se si do të adresohet kjo problematik mbetet të shihet, por numri i madh i hudhjes se këtyre lendeve tregon se Prokuroria nuk ka qenë në krye të detyrës, duke lejuar që një numër i madh i kryerësve potencial të veprave penale të mos gjykohen asnjëherë. Ndërsa, faji i takon edhe Gjykatave që për vite me radhe kanë kaluar lëndë të tilla, duke mundësuar kështu të krijohet praktikë e keqe dhe e pabazuar në ligj/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...