0.3 C
Pec
E hënë, 4 Dhjetor, 2023

Kërcënimet dhe ofrimi i mbrojtjes së afërt, flet kreu i PDK-së dhe nënkryetari i LDK-së

Ditën e djeshme është raportuar se i është ofruar mbrojtje e afërt Kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi pas kërcënimeve të shumta të marra nga grupet terroriste serbe.

Një gjë e tillë u konfirmua sot edhe nga vet kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai tha sot para gazetarëve se ka qenë vlerësim i organeve të drejtësisë që t’i ofrohet mbrojtje.

I pari i PDK-së, tha se për më shumë do duhej të tregonte Policia e Kosovës, por konfirmoi atë që gjithçka lidhet me zhvillimet dhe situatën pas sulmit në fshatin Banjskë.

“Nuk jam, e as s’jam ndjerë kurrë i kërcënuar edhe kur na kanë publikuar informacione për kërcënime me vrasje, siç e dini edhe para pak muajsh, por ka qenë vlerësimi i organeve të sigurisë, në këtë rast policisë së Kosovës, e unë besoj edhe në organe tjera të ndërlidhura e të ndërvarura që të na ofrojnë mbrojtjen e afërt, për arsye që unë besoj do duhej ata t’i tregojnë, por që ndërlidhen me zhvillimet dhe situatën e tensionuar e përkeqësuar pas sulmeve në veriun e vendit”, tha Krasniqi para gazetarëve.

Lidhur me ofrimin e mbrojtjes së afërt edhe për kreun e LDK-së, foli edhe nënkryetari i kësaj partie, lutfi Haziri.

Para gazetarëve Haziri tha se Abdixhiku po sillet ashtu siç kanë vlerësuar organet e shtetit, por që puna e tij nuk është ndërprerë. Nënkryetari i LDK-së theksoi se Policia e Kosovës ka kapacitetet e mjaftueshme profesionale për garantim dhe siguri.

“I ka besuar vlerësimeve të organeve të shtetit, dhe po sillet karshi atij vlerësimi. Nuk ka ndërprerë asgjë në punën e tij, në agjendën politike edhe në rutinën e tij. Sepse, policia e shtetit ka kapacitete e mjaftueshme profesionale me siguru, me garantu. Dhe kjo nuk e prek në asnjë mënyrë agjendën e tij, vetëm është rrit kujdesi i organeve të sigurisë. Nuk është për të diskutuar më shumë, sepse morëm vesh që edhe të tjerëve u janë vendosur masa të njëjta. Pasiguri juridike në Kosovë ka, mos të flasim pasiguri fizike, dhe kjo është më problematike dhe më serioze dhe na shqetëson si LDK më shumë”, tha Haziri para mediave/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...