13.1 C
Pec
E mërkurë, 17 Prill, 2024

Këshilli Gjyqësor mblidhet, i merr këto vendime

Nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur sot takimin e 301 më radhë.

Sipas njoftimit, Këshilli Gjyqësor ka vazhduar mbajtjen me shqyrtimin dhe vendosjen për pikat e rendit të ditës si në vijim:

Anëtarët e KGJK-së miratuan përmbajtjen e Raportit Vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2022.

Këshilli caktoi gjyqtarin Mentor Bajraktari, nënkryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, mandati i të cilit është i njëjtë me atë të kryetarit të gjykatës.

Gjatë takimit, është miratuar Rregullorja Nr. 12/2022 për Procedurën e Zgjedhjes, Emërimit, Pezullimit dhe Shkarkimit të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës.

KGJK miratoi shpalljen e konkursit për kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës, me ç’rast themeloi komisionin vlerësues për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për këtë pozitë.

Tutje, Këshilli Gjyqësor miratoi Rregulloren Nr. 13/2022 për Vlerësimin e Performancës të Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës si dhe Rregulloren Nr. 14/2022 për Organizimin dhe Funksionimin e Njësisë për Inspektim Gjyqësor.

Këshilli refuzoi transferimin e dy (2) bashkëpunëtore profesionale nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri.

Mes tjerash, KGJK miratoi Rregulloren Nr. 15/2022 për të drejtat, detyrimet, performancën, disiplinimin dhe transferimin e bashkëpunëtoreve profesional.

Po ashtu, Këshilli miratoi Udhëzuesin për Hartimin dhe Konsultimin Publik të Akteve Normative të KGJK-së dhe Udhëzimin Administrativ Nr. 01/2022 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2021 për Plotësimin dhe Ndryshmin e Udhëzimit Administrativ 04/2019 për Publikimin e Aktgjykimeve të Përpunuara.

Anëtarët e Këshillit miratuan Planin e Përgjithshëm të Personelit për vitin 2023.

Gjatë këtij takimi, u miratua shpallja e konkursit për 40 pozita të lira për bashkëpunëtorë profesional në gjykatat e Republikës së Kosovës, me ç’rast u themelua komisioni për rekrutimin e bashkëpunëtorëve profesional si dhe komisioni për rishqyrtimin e ankesave të kandidatëve për këtë konkurs.

Në vazhdim të takimit, Këshilli aprovoi njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të SKGJK-së për pensionimin e gjyqtarit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Ibrahim Idrizi.

Anëtarët miratuan Planin vjetor të punës së Gjykatës Komerciale dhe Planin vjetor të punës së Gjykatës Themelore Prishtinë, për vitin 2023.

KGJK miratoi listën e lëndëve që do të kalojnë në Gjykatën Komerciale nga Gjykata e Apelit, ku pas përfundimit të këtij procesi Gjykata Komerciale do të fillojë trajtimin dhe shqyrtimin e këtyre lëndëve që bien në juridiksionin e saj.

Këshilli vendosi që pika e rendit të ditës për emërimin e mentorëve për Akademinë e Drejtësisë të shtyhet për takimin e radhës.

Këshilli autorizoi Kryetarin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri, të vlerësojë marrëveshjen e mirëkuptimit lidhur me Institucionalizimin e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje dhe mënyrën e funksionalizimit të tij, në Komunën e Shtimes dhe në bazë të vlerësimit të njëjtën ta nënshkruaj si kryetar i gjykatës/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...