Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës janë mbledhur për shkak të gjendjes së krijuar në shkollat e komunës për sistemin arsimor fillor dhe të mesëm të ulët lidhur me mos shpërndarjen e librave nëpër shkolla.
Pas diskutimeve, kryesia e KPP-së, unanimisht doli me disa konkluzione.
1-KPP shprehë shqetësimin e të gjithë prindërve të komunës për gjendjen e krijuar pas deklaratës publike të Ministres së Arsimit, znj. Arbërie Nagavci, se këtë vit nuk do të ketë shpërndarje të librave për nxënësit e nivelit të klasave I-IX, ashtu siç ka qenë traditë e aplikuar në Kosovë për vite me radhë.
2-KPP shprehë brengën e thellë dhe ka mëdyshje në propozimin publik të ministres, për të aplikuar ‘Metodën e Rimbursimit’, që është e panjohur dhe pa testuar paraprakisht, dhe si rrethojë mund të jetë e dështuar që në fillim.
2.1. Kjo metodë mund të dështoj kur dihet se shumë prindër nuk kanë llogari në platformën e-Kosova, apo edhe kanë probleme me përdorimin dhe qasjen në pajisje të TI-së;
2.2. Po ashtu, problem tjetër i identifikuar është mos posedimi i llogarive bankare nga shumë prindër, dhe probleme të tjera që lidhen me kredi apo procese përmbarimore.
3-KPP, kërkojmë nga Ministria e Arsimit që të gjejë zgjidhje të shpejtë dhe praktike në sigurimin e librave shkollor para fillimit të procesit mësimor, 1 Shtatorit.
Për fund Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka paralajmëruar se do të shqyrtoj veprime tjera konform situatës së krijuar, nëse nuk sigurohen librat me kohë nga Ministria e Arsimit sikur vitet paraprake.
Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) po e shqyrton mundësinë t’ua transferojë paratë prindërve në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor, ka thënë të hënën ministrja Arbërie Nagavci. Deri tani, Ministria i ka blerë librat direkt nëpër shtëpi botuese, nga ku ato u janë shpërndarë nxënësve nëpër shkolla.
Por MASHTI synon ta ndryshojë strategjinë dhe do të vendosë brenda pak ditëve për planin e ri për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit./Njeshi/