Pavarësisht thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së që Kosova të procedojë me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nga Qeveria e Kosovës po thonë se Drafti i BE-së s’është obligativ për Republikën e Kosovës, raporton Gazeta Express.
Kështu ka thënë këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, duke potencuar se Drafti s’është pranuar dhe se i njëjti ka dështuar të marrë formën e një detyrimi obligativ.
Pavarësisht reagimit të ashpër të Brukselit të bërë para pak ditësh sa i përket kualifikimit të draftit si “non-paper”, Zulfaj e ka përsëritur këtë konstatim.
“Drafti s’është pranuar. Ka dështuar të marrë një formë të obligimit ndaj Kosovës dhe prandaj quhet non-paper, sepse nuk është oblgativ, nuk është nënshkruar dhe s’është pranuar. Si ta quajmë ndryshe një Draft të tillë.”, ka thënë Zulfaj për Kosova Press.
Zulfaj ka thënë se i njëjti s’mund të dërgohet nga Gjykatë Kushtetuese.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ditë më parë ka thënë se ta cilësosh Draftin e BE-së si një “non-paper” është shpërfillje e obligimeve
“Në përputhje me ripërkushtimin zyrtar ndaj dialogut dhe implementimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve, ne kërkojmë nga Kosova që të ecë përpara me themelimin e tij pa vonesa të reja”, kishte thënë Peter Stano.
Ndërkohë ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se nëse bëhet kryeministër, do ta dërgojë Draftin në Kushtetuese në javën e parë. /Njeshi/