30.9 C
Pec
E diel, 8 Shtator, 2024

KFOR-i flet për praninë e shtuar sot mbi Urën e Ibrit, thotë se është pjesë e një trajnimi

Forca të shtuara të KFOR-it, janë parë sërish sot tek Ura mbi lumin Ibër.

Nga ky mision  kanë folur për GR për praninë e shtuar ditën e së mërkurës në urën mbi lumin Ibër. KFOR thotë se asetet dhe personeli shtesë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it (MSU) janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë dhe kjo sipas KFOR-it është pjesë e trajnimit periodik që misioni paqeruajtës i kryen për të testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.

KFOR po ashtu ripotencon se ata kanë prani të vazhdueshme mbi Ibër dhe patrullime të rregullta në zonat përreth.

“Asetet dhe personeli shtesë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it (NJMS) janë duke u vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë. Kjo është pjesë e trajnimit periodik që KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.

KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë, dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Misioni paqeruajtës potencon se vazhdon të monitorojë situatën në veri të Kosovës dhe është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme në kuadër të mandatit që i takon për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

“KFOR-i po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet vigjilent. Është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij të OKB-së – për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme – dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës.

KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Kujtojmë se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rritur praninë në urën kryesore mbi lumin Ibër më 31 gusht, një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të Kosovës.

Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Mirëpo, KFOR-i në një deklaratë  kishte bërë të ditur edhe ditëve të kaluara se dislokimi i trupave aty, vijon si pjesë e një trajnimi të paraparë në planet e tyre, për të mbrojtur standardet më të larta operacionale.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë po ashtu ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.

Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...