Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka kërkuar nga veteranët e luftës të kenë kujdes kur udhëtojnë jashtë Kosovës, e sidomos kur udhëtojnë nëpër Serbi.
Klinaku, para disa ditësh në një reagim publik, ka thënë se Serbia po vazhdon t’i përditësojë listat, duke futur veteranë në listën e Interpol-it. Klinaku, në një prononcim për Telegrafin, tha se veteranët e luftës nuk duhet të kalojnë nëpër Serbi dhe as në vendet që shtetin serb e konsiderojnë mik.
“Thirrja ime vazhdimisht për veteranët është që nuk bën më kalu nëpër Serbi, nuk bën me kalu në shtetet sllave apo në vendet që e konsiderojnë mik Serbinë. Sa i përket Shqipërisë, nuk kanë nevojë të frikësohen hiç, pasi e dinë që Shqipëria nuk e ekstradon askënd. Thirrja ime ka qenë, veteranët e luftës nuk kanë se çfarë kërkojnë nëpër Serbi, sepse ata vazhdimisht po i ndjekin, por edhe rreziku tashmë është edhe në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, pra në shtetet mike të Serbisë,” u shpreh ai.