Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës u ka bërë thirrje mediave e gazetarëve që raportimi për tragjedi duhet të zhvillohet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen.
Sipas Këshillit, nëse interesi publik është i lartë, atëherë ndaj të gjithë të prekurve nga tragjedia duhet pasur qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion.
“Sipas kodit etik, mediat duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet të raportojnë, duke treguar empati dhe vetëpërmbajtje. Mediat duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Po ashtu, mediat duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet, si dhe duhet të kenë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut gjatë raportimit.
Sipas kodit të etikës duhet respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre, duke mos i paraqitur në media fotografitë, videot apo incizimet tjera të të aksidentuarve, të të dhunuarve, të të vrarëve, të të vetëvrarëve apo personave të lidhur me ta, e në veçanti fëmijëve që janë pjesë e aksidentit, incidentit, fatkeqësisë natyrore apo veprës penale. Mediat e shkruara edhe gjatë raportimit duhet të lejojnë njerëzit të mbajnë zi privatisht, duke i trajtuar me shumë kujdes ngjarjet e tilla.”, thuhet në deklaratën e KMSHK-së.
Në këtë deklaratë thuhet se mediat nuk duhet që fotografitë ose videot nga vendi i ngjarjes t’i publikojnë pa mbuluar identitetin apo trupin e viktimave pas aksidentit, incidentit, dhunës, fatkeqësisë natyrore apo veprës penale.
“Publikimi i fotografive ose videove të tilla do të konsiderohet fyerje për ndjenjat e familjarëve të viktimave dhe të ndjeshme për publikun. Mediat e shkruara nuk duhet të publikojnë lajme me fotografi apo video ku paraqiten viktimat apo personat e zhdukur dhe të njëjtit në raportim të identifikohen me emër dhe mbiemër. Përjashtim nga publikimi i emrit e mbiemrit janë rastet kur për viktimat apo personat e zhdukur ka interes publik.”, thuhet tutje.
Sipas KMSHK-së gazetarët dhe mediat duhet të kenë parasysh që:
Është e nevojshme që të mbrohet identiteti i viktimave.
Publikimi i identitetit të viktimave varet nga interesi publik dhe mbetet në diskrecionin e mediave, bazuar në kodin e etikës.
Viktimave në fotografi e video duhet t’iu mbulohet fytyra ose të paktën pjesa e syve.
Duhet pasur kujdes gjatë raportimit për kufoma / trupa të vdekur, për të plagosur, pamje gjaku etj.
Në artikull / storie duhet të vendoset paralajmërimi për përmbajtjen mediale që ka të bëjë me përmbajtje të papërshtatshme ose të ndjeshme.
Nuk duhet ekspozuar kategoritë e cenueshme të shoqërisë dhe gjendja emocionale e të afërmve të viktimave.
Nëse autoritetet zyrtare – por jo vetëm – publikojnë përmbajtje të ndjeshme, atëherë mediat duhet pasur kujdes që të mbulojnë pjesët problematike, të ndjeshme, të fotografive ose videove.
Jo gjithçka që prezantohet nga autoritetet – por jo vetëm – duhet marrë si e mirëqenë.
Gazetarët dhe mediat duhet të tregojnë kujdes se çfarë i ofrojnë publikut.
Duhet shmangur raportimin sensacional./Njeshi/