Vendimi i Qeverisë së Kosovës që lejon importin nga Serbia vetëm përmes pikës kufitare në Merdar, ka shkaktuar tollovi të madhe të kamionëve.
Sipas shoferëve, llogaritet të jenë duke pritur deri në 150 kamionë për të hyrë në Kosovë.
Sipas vendimit të 7 tetorit të vitit të kaluar, ndalohet importimi i mallrave serbe nga vendkalimet e tjera derisa sa të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.
Një shofer kamioni u shpreh i mllefosur me këtë vendim, duke thënë se ka gjashtë muaj që përballen me ndalesa të tilla në pikat e tjera kufitare.
Ai ka thënë se kreu i ekzekutivit nuk po interesohet për bizneset kosovare, duke thënë se pritja e tij për më shumë se 48 orë ka qenë i mundimshëm.
I shqetësuar u shpreh edhe një shofer tjetër, ndonëse nuk ishte në dijeni për vendimin e datës 7 tetor.
“150 kamionë janë, që nga dje prej orës 12 duke pritë. Nuk e di pse, por pyeteni Albin Kurtin, e ai e di se përse i ka vendos këto masa. Vështirë ka qenë, pa bukë e pa ujë, jemi bërë si rrugaçë”, u shpreh një tjetër shofer.
I mllefosur i shpreh edhe një shofer nga nacionaliteti serb.
“Nuk mund të flas unë, tollovi shumë, asgjë nuk bën. Dy ditë e gjysmë po pres kot, kjo është katastrofë”./Njeshi/