Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, ka bërë të ditur se i kanë ndjekur me shqetësim publikimet e ditëve të fundit në media, për dy rastet e dhunës seksuale ndaj dy vajzave të mitura.
Përmes një reagimi publik, KOMF ka bërë thirrje që të ketë reagim të menjëhershëm nga shteti dhe shoqëria, për rastet e dhunës seksuale ndaj fëmijëve.
Po ashtu, KOMF konsideron se këto raste janë shprehje e neglizhimit ndër vite dhe mosveprimit të duhur të institucioneve në parandalimin e këtyre sulmeve e abuzimeve.
“KOMF i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare, ka ndjekur me shqetësim të thellë publikimet e ditëve të fundit në media për dy raste të rënda të dhunës seksuale ndaj dy vajzave të mitura. KOMF konstaton se këto raste janë shprehje e neglizhimit ndër vite dhe mosveprimit të duhur të institucioneve në parandalimin e këtyre sulmeve dhe abuzimeve, e performancës së dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të veprave kundër integritetit seksual, si dhe e kulturës së mos ndëshkimit të merituar të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve”, thuhet në reagimin e tyre.
Në përfundim, kanë thënë se dhuna seksuale ndaj fëmijëve ka pasoja shkatërruese, e që njëherit lënë gjurmë të mëdha në jetën e tyre.
“Dhuna seksuale ndaj fëmijëve ka pasoja shkatërruese dhe afatgjata për mirëqenien emocionale, psikologjike dhe fizike të tyre. Ajo e dëmton zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, shpesh duke shkaktuar trauma të rënda, ankth, depresion dhe probleme me besimin në vete e tek të tjerët. Viktimat mund të kenë vështirësi me vetëvlerësimin, të kenë probleme në krijimin e marrëdhënieve dhe të përballen me vështirësi në mjedisin shkollor dhe social. Pasojat e abuzimit seksual i cili është edhe forma më e rëndë e abuzimit, lënë gjurmë të të mëdha në jetën e fëmijës”, thuhet në përfundim të reagimit./Njeshi/