29 C
Pec
E enjte, 20 Qershor, 2024

Konjufca flet për audio-incizimin e Kusari-Lilës: Nuk ka tradhëti kombëtare, po publikohet në fragmente sipas dëshirave të dikujt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur rreth audio-incizimit ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila duke biseduar me kryekriminelin Milan Radoiçiq.

Konjufca u shpreh se nuk ka asnjë pikë dyshimi në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të Kusari-Lilës.

Ai tha se nuk dyshon për tradhti kombëtare të Kusari-Lilës në këtë rast.

“Sa i përket çështjes së Kusari-Lilës, po flas për të si deputete e jo si anëtare e koalicionit që ka partneritet me LVV. Nuk kam asnjë dyshim në orientimin dhe qëndrueshmërinë kombëtare të zonjës Kusari-Lila pra nuk kam asnjë dyshim për tradhti kombëtare apo çfarëdo të kësaj natyre”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari shtoi se këtë veprim të deputetes Kusari-Lila mund ta quajmë si gabim, pakujdesi të saj po jo tradhti.

“Mund ta quani gabim, pakujdesi e saj, por sa i përket kësaj çfarë më tregon mua kjo që është vazhdimësi e tjerrjes së një rasti që është publikuar para 7-8 muajve kur ka qenë mendoj që është i njëjti rast vetëm se tash po publikohet në sekuenca qysh po i konvenon dikujt, për mua është shumë ma tronditës dhe ma shqetësues ky ingjenerim që po ndodh sesa baza kombëtare e themeli kombëtar i zonjës Kusari-Lila”, tha Konjufca.

Konjufca shtoi se Milan Radoiçiq ka përjetuar humbjen më të madhe në Kosovë këto dy vitet e fundit.

“Ai ka humb gjithçka që ka pasur në Kosovë falë vendosmërisë së qeverisë për të shpërbërë të gjitha strukturat e tij kriminale duke përfshirë edhe pronat e tij milionëshe. Radoiciqi si kriminel dhe terrorist po donë me vazhdua këtë veprimtari në këtë mënyre, po donë si në formë hakmarrëse me zbeh legjitimitetin e intervenimit të qeverisë në veri të Kosovës. Për mua shumë më shqetësuese është kjo pjesë”, u shpreh Konjufca. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...