25.6 C
Pec
E diel, 16 Qershor, 2024

Kontrata milionëshe e Përparim Ramës, kompania fituese nuk i plotësoi kushtet për Arkitektin e Kryeqytetit (DOKUMENTE)

Komuna e Prishtinës para pak muajve ka lidhur kontratë trevjeçare 12 milionë euro me një konzorcium të quajtur “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” për konsulta dhe shërbime arkitektonike të kryeqytetit. Bartëse e konzorciumit është kompania e arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K, ndërsa anëtare e konzorciumit është edhe kompania Ardi CC L.L.C. Demokracia.com ka pasur qasje në ofertën e tenderit të realizuar nga Komuna e Prishtinës dhe aty shihet se kompania e Nixhës nuk i ka plotësuar kriteret teknike të kërkuara në dosjen e tenderit. Madje, ajo ka qenë bashkëpunëtore në një projekt me kompaninë e kryetarit Përparim Rama, “4M group”.

Në qershor të vitit 2023, në emrin e Komunës së Prishtinës, firmën e kanë hedhur kryetari Përparim Rama dhe menaxheri prokurimit Visar Shehu. Nga gjysma e vitit të kaluar, rrjedhimisht është bërë valide edhe kontrata “Konsulencë për themelimin e Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”, me numër 616-22-7431-3-1-2.

Tenderi është vlerësuar në dy faza, aspekti teknik dhe ai financiar. Ditë më parë, Komuna e Prishtinës ka lejuar qasje për Demokracia.com në dokumentacionin që ka të bëjë me ofertën teknike të kompanive garuese. Bazuar në kërkesat e “dosjes së tenderit” dhe të “njoftimit për kontratë”, konzorciumi fitues, rrjedhimisht kompania “ANARCH”, nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara.

Sipas dokumenteve të ngarkuara në e-prokurim, dokumenti Standard i Parakualifikimit dhe Formularit standard për korrigjimin e gabimeve thuhet që “Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi të kapaciteteve për kryerjen e punëve të përshkruara, nga të cilat në lëminë menaxheriale së paku 2 projekte të vlerës mbi 1.000.000,00 euro dhe në lëminë e programimit – softuerit të ketë së paku një projekt në vlerë 200.000 EUR, të kryer në periudhën paraprake në dhjetë vitet e fundit. Lista e projekteve të përfunduara Origjinal e vulosur dhe e nënshkruar nga OE duke plotësuar Aneksin 4 të Dosjes së Tenderit për projekte të realizuara në lëminë e objekteve, mbikëqyrjeve, hulumtimeve dhe të gjitha tjera që mund të jenë relevante për konsulencën e ofruar.

Bazuar në dokumentet e ofruara nga Komuna e Prishtinës shihet se kompania “ANARCH” ka ofruar një dokument, ku thotë se ka kryer 10 projekte, ashtu siç është cekur edhe në kërkesat prokuruese për këtë tender.

Pastaj në asnjë referencë nuk ceket shuma dhe as periudha, siç është obliguese me ligj dhe rregullat e KRPP-së.

Meqenëse është kërkuar që së paku dy projekte duhet të jenë të vlerës mbi 1.000.000,00 euro, në lëminë menaxheriale, kompania ka paraqitur tri projekte mbi këtë vlerë. Bëhet fjalë për 1 “Projekt menaxhmenti i Kompleksit Afarist banesor ENK / Prishtina City Center”, 2 “Projekt menaxhmenti dhe analiza e leverdishmërisë i Qendra Kulturore Klan”, 3 “Projekt menaxhmenti dhe analiza e leverdishmërisë i Klan KOSOVA TV studio”.

Bazuar mbi vetë kërkesat e komunës, por edhe të Ligjit të Prokurimit Publik, Demokracia.com ka gjetur se kontrata e parë nuk e përmbush kërkesën.

Nr. 1. Projekt Menaxhmenti i Kompleksit Afarist Banesor ENK/ Prishtina City Center, nuk përmbush kriterin e sipërcituar, pasi nëse datë përfundimi merret viti 2013 i shënuar nga kompania, atëherë ky projekt është jashtë afateve të përcaktuara nga komuna dhe LPP. Po ashtu, për të njëjtin projekt është shënuar “VIJON”, gjë që e nxjerr këtë projekt të papërshtatshëm për plotësimin e kërkesave të FDT dhe LPP. Në dosje të tenderit është e përcaktuar qartë “kontrata të përfunduara”, jo “vijon”. Madje, këtë e ka përcaktuar qartë edhe Ligji i Prokurimit Publik. Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) është përgjegjës për interpretimin e ligjit. Ky institucion në faqen e tij e ka edhe pjesën e interpretimeve, ku palë të ndryshme kërkojnë interpretim dhe KRPP u kthen përgjigje. Në një kërkesë të ngjashme, KRPP ka dhënë përgjigje duke thënë se “duhet të jenë të realizuara, jo në realizim e sipër”.

Madje, termi “vijon” i paraqitur nga kompania fituese, jo vetëm që është në kundërshtim me kërkesat, por është edhe manipulim. Sepse, në realitet kjo kontratë ‘nuk vijon’, por ka përfunduar në vitin 2013. Kjo shihet edhe nga vetë transaksionet bankare që ka paraqitur kompania për këtë projekt:

Për ta qartësuar më thjeshtë, bëhet fjalë për kontratën e lidhur mes Nixhes dhe kompanisë “Enk Invest Group” në vitin 2008 për ndërtimin e objektit të njohur si 42-katshi në lagjen “Lakrishte”, i cili ka filluar të ndërtohet para shumë viteve dhe akoma nuk ka përfunduar. Por, e vërteta është se kompania e Nixhës është tërhequr në 2013 nga projekti dhe kompania ndërtimore ka hequr dorë nga projekti paraprak dhe ka marrë leje të re me një tjetër kompani projektuese.

Lidhur me këtë kontratë të paraqitur, Demokracia.com ka bërë një artikull të veçantë, pasi aty shihet se për realizmin e këtij projekti ka bashkëpunuar me Nixhën edhe kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama.

Kompania ka paraqitur se në këtë projekt ka bashkëpunuar edhe me disa të tjera, duke e shkruar edhe emrin e kompanisë së kryetarit Përparim Rama, “4M group”. Projekti decidivisht quhet “Projekt menaxhmenti i Kompleksit Afarist Banesor”. Kjo kontratë e paraqitur në këtë formë, si referencë, mund të jetë edhe konflikt i interesit, pasi është paraqitur një dokument si dëshmi që të pranohet nga Komuna e Prishtinës, projekt në të cilin ka qenë i involvuar vetë kryetari Përparim Rama.

Sipas ‘dosjes së tenderit’ kërkohen punime TË PËRFUNDUARA dhjetë vitet e fundit nga data e njoftimit të kontratës, të vërtetuara me certifikata për kryerjen dhe/ose përfundimin e kënaqshëm të projekteve. ANEKS 4 LISTA E KONTRATAVE TE REALIZUARA (Ky aneks është obligativ që të plotësohet dhe t’i bashkëngjiten certifikatat përkatëse ose ndonjë dokument tjetër që evidenton performimin e tillë). Në dokumentet e ofruara nga Komuna e Prishtinës, Demokracia.com nuk ka gjetur askund certifikata për kryerjen dhe/ose përfundimin e kënaqshëm të projekteve. Kompania nuk ka ofruar kontrata me referencat përkatëse dhe certifikatën e përfundimit të punëve, sipas kërkesës që dëshmojnë natyrën e punës sipas dosjes së tenderit. Por, ka ofertuar referenca ku përshkrimi është për punë ndërtimore e individuale dhe jo menaxheriale.

Siç shihet në dokumentin e lartshënuar, në pesë kontratat e para titujt janë paraqitur të njëjtë, sepse s’ka asnjë dëshmi që titulli i kontratës është i tillë e as në referenca.

Tutje, në dosjen e tenderit shkruan se “Faktori i cili do të merret në konsideratë gjatë riekzaminimit është Vlera më e lartë e kontratave të përfunduara me sukses që e plotësojnë kriterin e kapacitetit teknik”. Siç shihet më lartë, pos këtyre kontratave, kompania ka paraqitur edhe të tjera për të cilat është vlerësuar me pikë për to. Demokracia.com ka gjetur se disa nga to nuk është dashur të vlerësohen fare, pasi janë në kundërshtim me dosjen e tenderit. P.sh. “Projekt menaxhmenti dhe Analiza e Leverdishmerise i TOP Channel studio”, nuk përmbush kriterin, pasi datë përfundimi është e shënuar “vazhdon”.

“Projekt menaxhmenti dhe Analiza e Leverdishmerise i ZOE HORA Hotel and Spa”, nuk përmbush  kriterin e sipërcituar, pasi datë përfundimi është e shënuar “vazhdon”.

Pos dy kontratave, kërkesë për kualifikim ka qenë edhe “në lëminë e programimit – softuerit të ketë së paku një projekt në vlerë 200.000 EUR”. Nga dokumentet e ofruara, Demokracia.com nuk ka parë askund që kompania e rekomanduar për kontratë të ketë ofruar këtë dëshmi.

Dokumenti

Para se të kualifikonte kompanitë për në rundin e dytë, komuna ka korrigjuar dosjen e tenderit dhe tri herë e ka ngarkuar një formular standard për korrigjimin e gabimeve të publikuara, si dhe e ka zgjatur vitin për kërkesën e punëve të kryera. Ka qenë: “Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi të kapaciteteve për kryerjen e punëve të përshkruara, nga të cilat në lëminë menaxheriale së paku 2 projekte të vlerës mbi 1.000.000,00 €, dhe në lëminë e programimit – softuerit të ketë së paku një projekt në vlerë 200.000 EUR, të kryer në periudhën paraprake në tri vitet e shkuara “ose “ në periudhën e shkuar  trevjeçare“.

Ndërkohë është bërë “Operatori ekonomik duhet të ofrojë dëshmi të kapaciteteve për kryerjen e punëve të përshkruara, nga të cilat në lëminë menaxheriale së paku 2 projekte të vlerës mbi 1.000.000,00 €, dhe në lëminë e programimit – softuerit të ketë së paku një projekt në vlerë 200.000 EUR, të kryer në periudhën paraprake në dhjetë vitet e shkuara “ose “ në periudhën e shkuar dhjetëvjeçare”.

Po të qëndronte kërkesa e parë, bazuar në referencat e paraqitura nga kompania fituese, shumë nga referencat do të binin poshtë pasi punët e paraqitura kanë qenë para periudhës trevjeçare. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...