Kori Siparantum do të përfaqëson kulturën shqiptare në festivalin e njohur “UNIVERSITAS CANTAT”, i cili do të mbahet në qytetin e Poznań, Poloni, nga 15 deri më 18 Maj 2024.
Për aktivitetin e radhës, ka folur dirigjenti i këtij Kori, prof. Memli Kelmendi.
“Kjo është një mundësi e rëndësishme për ne për të shpalosur trashëgiminë tonë kulturore në një ngjarje kaq prestigjioze. Poznań është një qendër e rëndësishme për artin koral në Poloni, dhe auditori kryesor i festivalit, Salla e Universitetit Adam Mickiewicz, ofron një ambient të veçantë për performancat korale, me një akustikë të jashtëzakonshme”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum.
Programi fillon me një koncert në Cultural Centre në Pobiedziska më 15 Maj, (sonte) në ora 19:00, ku do të prezantojmë kompozitorë shqiptarë dhe trashëgiminë tonë muzikore. Në program do të interpretohen vepra të kompozitorëve tonë të shquar; Llapacaj, Antoni, Mulliqi, Dhomi, Menxhiqi, Jashari, Kelmendi etj.
Në ditën e dytë, më 16 Maj, koncerti do të mbahet në AMU Concert Hall.
Kori ‘Siparantum’ do të ngjitet në skenë me kore të tjera pjesëmarrëse që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Në këtë program kori do të paraqitet me vepra të muzikës kontemporane. Në koncertin final të gala-s, Kori Siparantum dhe koret e tjera pjesëmarrëse do të shfaqen në AMU Concert Hall për të interpretuar veprën “INCANTATIO”, nën drejtimin e Anna Duczmal-Mróz, bashkë me Amadeus Chamber Orchestra of Polish Radio./Njeshi&RADIO 1/