15 C
Pec
E premte, 23 Maj, 2025

Kori `Siparantum`, në skenat më prestigjioze të Berlinit

Kori “Siparantum” më 26 prill, me fillim nga ora 20:00, do të performojë në koncertin “Around the World”, i cili do të mbahet në kishën e njohur Matthäuskirche në Berlin, në kuadër të festivalit prestigjioz “Choral Space”. Kori do të ngjitet në skenë së bashku me formacione korale nga Greqia, Spanja dhe Lituania; Polychromon (Greqi), B-Tenors (Spanjë), ARTyn (Lituani).

Sipas njoftimit, Kori “Siparantum” do të prezantohet me një repertor të përzgjedhur me vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë, përfshirë premierën botërore të veprës “Hear my prayer, O Lord”, kompozuar nga Christian Bährens, me të cilin kori ka ndërtuar një bashkëpunim artistik të suksesshëm ndër vite. Në kuadër të këtij koncerti, Kori “Siparantum” do të paraqitet së bashku me solistët Rizah Jahaj, Leon Shehu, Erijon Palucaj, Diar Meholli dhe Kaltrina Miftari, nën shoqërimin e pianistit të Agron Shujakut dhe Denita Dedushajt.

Më pas, më 27 prill, në ora 11:00, Kori “Siparantum” do të ngjitet për herë të pestë në skenën madhështore të Filharmonisë së Berlinit, një nga sallat më të njohura koncertale në botë, për të shënuar një moment tjetër historik në rrugëtimin e tij ndërkombëtar. Ky koncert përfaqëson kulmin e pjesëmarrjes në festivalin Choralspace – Walking in Beauty, dhe sjell një bashkëpunim të veçantë me kompozitorin dhe pianistin e njohur Ola Gjeilo.

“Ngjarja do të nisë me një koncert nga të gjitha korët pjesëmarrëse, ku Kori Siparantum do të interpretojë premierën e veprës “Zanat e Malit”, të kompozitorit të mirënjohur kosovar, Kreshnik Aliçkaj, për kor vajzash, violinë, piano dhe përkusion. Kori Siparantum do të interpretojë këtë vepër në bashkëpunim me violinisten tonë të mirënjohur Sihana Badivuku, pianistin Agron Shujaku dhe përkusione Aurora Hyseni”, thuhet në njoftim.

Në pjesën e dytë të koncertit, kori do të bashkohet me 500 koristë ndërkombëtarë dhe orkestrën për të interpretuar disa nga veprat më të njohura të Ola Gjeilo: The Spheres, Tundra, Ecce Novum, Ave Generosa, Across the Vast Eternal Sky, The Rose, Ubi Caritas dhe The Ground. Të gjitha veprat do të shoqërohen nga vetë kompozitori në piano. Veçanërisht, dirigjenti Memli Kelmendi është ftuar të drejtojë veprën “The Rose” në këtë koncert të madh ndërkombëtar – një nder i rrallë për çdo dirigjent, që vjen si rezultat i kontributit të tij të vazhdueshëm dhe nivelit të lartë artistik që Kori Siparantum ka dëshmuar në arenën ndërkombëtare.

Kjo paraqitje në Filharmoninë e Berlinit shënon herën e pestë që Kori Siparantum performon në këtë skenë legjendare. Gjatë këtyre viteve, kori ka bashkëpunuar me disa nga personalitetet më të shquara të muzikës korale, përfshirë Simon Carrington, Mihály Zeke, Ēriks Ešenvalds etj.

Gjatë ditëve të festivalit, koristët do të kenë mundësinë të punojnë nga afër me Ola Gjeilon në punëtori intensive artistike dhe sesione bashkëpunimi, duke thelluar përvojën e tyre muzikore dhe ndërkombëtare./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...