Të hënën do të mbahet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në Prishtinë, ku pritet të nënshkruhen së paku tri marrëveshje.
Zëvendëskryeministri maqedonas, Izet Mexhiti ka njoftuar se në mbledhjen e së hënës do të nënshkruhet protokolli për pikat e përbashkëta kufitare në Bllacë-Hani i Elezit dhe Jazhincë-Glloboçicë, që mundësojnë qarkullimin e pandërprerë të qytetarëve vetëm përmes një pike kufitare.
Dy marrëveshjet e tjera janë për fushën e energjetikës dhe tjetra për fushën e arsimit.
Herën e fundit, mbledhja dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ishte mbajtur më 16 shtator 2021, ku në Maqedoni të Veriut kryeministër ishte Zoran Zaevi, ndërsa në mbledhjen e së hënës ekzekutivi maqedonas ka përbërje tjetër, drejtohet nga Hristjan Mickoski.
Në Shkup, dy kabinetet qeveritare patën nënshkruar 11 marrëveshje, të cilat u konsideruan të rëndësishme për bashkëpunim në shumë fusha.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje për mbledhjen e përbashkët, përveç që ka njoftuar se kjo ngjarje do të mbahet më 18 nëntor 2024./Njeshi/