15.7 C
Pec
E hënë, 15 Prill, 2024

Kosova ka përfshirje të mirë të imunizimit të popullatës

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë mbajtur punëtori me media, lidhur me aplikimin e tri vaksinave të reja në Kosovë, me theks atë kundër kancerit të qafës së mitrës, e cila ka nisur të aplikohet që nga 20 shkurti kundër Human Papilloma Virusit për vajzat e klasave të gjashta. Kjo me qëllim të parandalimit të HPV-së, që është infeksioni viral më i shpeshtë i organeve riprodhuese te gratë, i cili shkakton 95% të kancereve të qafës së mitrës.

Kosova gëzon një përfshirje të mirë të imunizimit të popullatës, ku vaksinimi është mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga shumë sëmundje.

E së fundmi vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës,  u bë pjesë e Kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë.

Shefja e vaksinimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Fetije Fetaj, tregoi se si po shkon procesi i vaksinimit të vajzat kundër kancerit të qafës së mitrës.

“Deri më tani nga të gjitha komunat,  kemi një përfshirje  të mirë, të kënaqshme dhe nuk dallon as me vitet tjera që kanë qenë dy vaksina të tjera. Vaksinimi është duke shkuar shumë mirë, pa efekte anësore dhe prindërit e kanë pranuar mjafte mirë”, tha Fetaj.

Për rëndësinë e vaksinimit për RTK-në foli edhe Isme Humolli,  nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë.

“Vaksinimi është masa më e lirë dhe më e mirë të cilën e shfrytëzon mjekësia bashkëkohore në parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Me zhvillimin e teknologjisë edhe kualiteti i përfitimit të vaksinave është edhe më e lartë. Kosova është ndër shtetet që duhet të krenohet me të arriturat sa i përket shkallës së përfshirjes në imunizim”, theksoi Humolli.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Zyrën e UNICEF-it në Kosovë, në kuadër të aktiviteteve, organizoi mbajtjen e një punëtorie edhe me media, ku u diskutua për Kalendarin e rregullt të vaksinimit dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe informimit të drejtë mbi procesin e vaksinimit në Kosovë.

Gjatë vitit 2023, përqindja e vaksinimit në Kosovë sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit është 92%./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...