24.3 C
Pec
E martë, 15 Korrik, 2025

Kosova ndër 5 vendet ku implementohet projekti ‘Integriteti Gjyqësor’

Kosova është në mesin e pesë shteteve të Ballkanit Perëndimor ku do të implementohet projekti i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, “Integriteti Gjyqësor”.

Ky projekt ka të bëjë me fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit ndaj ndikimeve politike, mbështetjen e pavarësisë së prokurorive, rritjen e transparencës dhe qasjes së publikut në sistemin gjyqësor, përmirësimin e praktikës së shqiptimit të dënimeve, përforcimin e llogaridhënies dhe menaxhimit institucional, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

Prandaj sot në zyrën e Këshillit Prokurorial të Kosovës ishin mysafirë përfaqësuesit e projektit të ri rajonal të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar,  si dhe përfaqësues të Ambasadës Britanike në Kosovë, të cilët u pritën nga kryesuesi Ardian Hajdaraj.

Takimi, sipas KPK-së, kishte për qëllim prezantimin e projektit dhe diskutimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejmë me Këshillin Prokurorial të Kosovës, në funksion të forcimit të integritetit institucional dhe avancimit të reformave në sistemin e drejtësisë.

“Ky projekt, që do të zbatohet në pesë shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, që  implementohet nga organizata Security Criminal Justice Solutions, synon të mbështesë institucionet e drejtësisë për përmirësimin e standardeve të integritetit dhe llogaridhënies. Qëllimet kryesore të projektit përfshijnë, Fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit ndaj ndikimeve politike, Mbështetjen e pavarësisë së prokurorive, Rritjen e transparencës dhe qasjes së publikut në sistemin gjyqësor, Përmirësimin e praktikës së shqiptimit të dënimeve, Përforcimin e llogaridhënies dhe menaxhimit institucional, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, thotë Këshilli Prokurorial.

Thuhet se të dyja palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe theksuan rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për avancimin e standardeve evropiane të integritetit dhe sundimit të ligjit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...