Qytetarët e Kosovës nesër do të votojnë në zgjedhjet parlamentare, nga ku do të zgjedhin 120 ligjvënës mes 28 subjekteve politike në garë, zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë. Partitë politike tashmë kanë përmbyllur fushatën zgjedhore.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – pra nesër, në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Në këto zgjedhje, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.
Kështu do të duket fletëvotimi:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Në këto zgjedhje, për herë të parë, misionet diplomatike të Kosovës janë kthyer në qendra votimi. 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës janë hapur sot, në të cilat më shumë se 20 mijë mërgimtarë të regjistruar kanë mundur të votojnë.
Nga 20 mijë e 324 të regjistrues për të votuar në përfaqësi diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, siç bëri të ditur KQZ, deri në orën 19:00, të drejtën e votës e shfrytëzuan mbi 70 për qind e tyre.
Siç ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga kjo shifër kanë votua 14 mijë e 463 qytetarë, pa i përfshirë qendrat e votimit në Washington, Otavë, Toronto dhe New York.
Fushata zgjedhore e këtij viti u karakterizua me gjuhë të ashpër, ndërsa Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar mijëra euro gjoba për partitë politike. Partia në pushtet aktualisht ka numrin më të madh të gjobave nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa.
Me gjithë përdorimin e gjuhës së ashpër nga partitë politike gjatë tubimeve elektorale, nuk është shënuar ndonjë incident.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, të cilët vijnë nga 18 vende të ndryshme të BE-së, me qëllim të “ruajtjes së standardeve demokratike”, me ftesë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme./Njeshi/