Ekspertët thonë se pensionet dhe sigurimet shëndetësore, janë pengesat kryesore për familjet që jetojnë në Kosovë.
Gjatë debatit të fundit ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, kanë diskutuar rreth varfërisë në Kosovë dhe problemeve të menaxhimit të skemave sociale.
“Edhe ata që statistikat nuk i kualifikojnë si të varfër, jetojnë në kushte të vështira. Kjo krijon klimë të shpërnguljes, që po e përjetojmë prej vitesh,” tha Hoxha.
Ai kritikoi mënyrën e menaxhimit të buxhetit për skemat sociale, duke përmendur se pensionet e pleqërisë dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore mbeten barriera kryesore për qytetarët.
Sipas Hoxhës, fondet për pensionet duhet të ndahen veçmas, si në vendet e tjera, ndërsa mungesa e sigurimeve shëndetësore për më shumë se dy dekada ka shkaktuar shpenzime të mëdha për familjet në trajtime mjekësore dhe medikamente.
Vebi Mujku, nga ana tjetër, theksoi se skemat e ndihmës sociale në Kosovë menaxhohen kryesisht me vendime qeveritare dhe jo me ligje. Ai vuri në dukje mungesën e shtresës së mesme në shoqërinë kosovare dhe abuzimet me skemat sociale.
“Njerëzit abuzojnë me skemat sociale, veçanërisht në kategorinë e punëkërkuesve. Kemi 6-7 mijë familje në këtë kategori, ndërsa të njëjtën kohë kemi edhe 6-7 mijë vende të lira pune në zyrat e punësimit. Ligjet nuk zbatohen siç duhet,” tha Mujku.
Ai gjithashtu kritikoi vendimin e fundit të qeverisë që lejon punësimin e përkohshëm të përfituesve të ndihmës sociale, duke i dhënë atyre subvencione shtesë pa ndërprerë ndihmat për një periudhë gjashtëmujore.
Sipas Mujkut, kjo krijon diskriminim ndërmjet kategorive të ndryshme të përfituesve.Ekspertët theksuan nevojën për reforma të thella në sistemin e skemave sociale, përfshirë zbatimin rigoroz të ligjeve, menaxhimin e fondit të pensioneve dhe krijimin e mekanizmave për të parandaluar abuzimet.
Varfëria dhe keqmenaxhimi i burimeve mbeten sfida kryesore për zhvillimin social dhe ekonomik të Kosovës, duke kërkuar vëmendje të shtuar nga institucionet dhe qeveria./Njeshi/