18.8 C
Pec
E diel, 14 Prill, 2024

Kostoja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare e lokale pritet të jetë 13 milionë euro

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar sot kornizën afatmesme të shpenzimeve për 2025-2027, në të cilën përfshihet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, ku kostoja totale kap shumën 13 milionë euro.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, tha se shuma e planifikuar është vetëm për nevoja të KQZ-së si trup menaxhues i procesit të zgjedhjeve.

“Për zgjedhjet parlamentare për nevoja të KQZ-së dhe sekretariatit brenda që është profesional, janë 234. Për nevoja të QKN-së dhe KKZ-së janë 516 dhe si trupa menaxhues të zgjedhjeve, që direkt janë të përfshirë në menaxhimin e zgjedhjeve është një numër prej 23 mijë e 180 persona. Pra, në tërësi për zgjedhjet parlamentare planifikohet të angazhohen 23 mijë e 930 staf apo personel…Kostoja totale e planifikuar për zgjedhjet parlamentare vetëm për angazhim të stafit për vitin 2025 e kap shifrën prej 4 milionë e 381 mijë euro. Ndërsa, për zgjedhjet lokale ku përfshihet zgjedhjet për kryetarë komune, për kuvend komunal, numri total i personelit të angazhuar do të jetë i përafërt me zgjedhjet parlamentare, ndërsa kostoja është pothuajse dyfishi, pasi kemi dy raunde votimi, pra për nivelin lokal është 8 milionë e 700 mijë euro dhe nëse i bashkojmë të dyja si shpenzime, kosto totale është 13 milionë euro”, tha ai.

Në anën tjetër, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se në kuadër të përgatitjeve për procesin e votimit pro ose kundër largimit të kryetarëve në veri, subjekteve politike u është dërguar ftesa për të paraqitur nominimet e tyre për anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna.

Krahas kësaj, u bë e ditur se më 1 mars 2024 është përmbyllur afati ligjor për subjektet politike të regjistruara për të dorëzuar në KQZ raportin vjetor financiar për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023.

Në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike janë pranuar 51 raporte vjetore financiare, ndërsa tri të tjera, si Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Eko Lëvizja e Gjelbër, nuk i kanë dorëzuar ende këto raporte. Për shkak të mosdorëzimit, zyra ka shqiptuar gjoba për tri subjektet politike të regjistruara me nga 4.000 euro secilën prej tyre./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...