21.9 C
Pec
E shtunë, 15 Qershor, 2024

KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, ndan një milion euro për furnizim me kamera për vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka filluar përgatitjet e para për zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës. Në mbledhjen e së enjtes, KQZ ka marrë vendim për miratimin e specifikave për furnizim me kamera që do të përdoren në vendvotime për zgjedhjet e ardhshme në Republikën e Kosovës.

Shuma e përgjithshme e planifikuar për këtë aktivitet prokurimi sipas KQZ-së është 1 milion euro.

Për herë të parë, KQZ përdori kamerat në vendvotime në procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, i cili u mbajtë më 21 prill 2024. Këto kamera, KQZ e Kosovës i kishte huazuar nga KQZ e Shqipërisë.

Anëtari nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani, tha se vendosja e kamerave në vendvotime, sipas KQZ-së, ka për qëllim ruajtjen e integritet të procesit zgjedhor.

Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e VV, Sami Kurteshi ngriti për diskutim çështjen nëse mund të bëhet ky furnizim nëse zgjedhjet mbahen së shpejti

Sipas shpjegimeve që u dhanë në këtë mbledhje, kjo është një procedurë e rregullt prokurimi dhe do të ishte e pamundur që ky proces të përmbyllet deri në muajin korrik.

“Këto kamera nuk mundet me u kontratu per kaq një kohë të shpejt ajanë më të mira të shqiperisë janë më të reja për këtë mund të garantoj”, tha Arianit Elshani i PDK-së.

Në rast të pamundësisë që KQZ të arrijë të sigurojë me kohë kamerat për vendvotime, anëtari tjetër i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi tha se sërish mund t’i drejtohen KQZ së Shqipërisë për huazimin e kamerave.

“Në këtë rast mendoj që mund të drejtohemi republikës së Shqipërisë, Komisionit Qendror atje që të në vë në dispozicion kamerat që i kanë e që i përdorin në proceset zgjedhore, nëse veç kjo paraqitët e nevojshme”.

Tema e zgjedhjeve të ardhshme u diskutua edhe gjatë shqyrtimit të agjendës për punëtorinë për mësimet e nxëna për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut dhe përgatitjet për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Në pjesën tjetër të mbledhjes, KQZ mori vendim për regjistrimin e iniciativës politike Romani Inicyativa si parti politike, e cila tani do të jetë pjesë e regjistrit të partive politike në Republikën e Kosovës. Sipas këtij regjistri, numri i partive politike të regjistruara është: 52.

Po në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për zhvillimin e takimeve të veçanta me Kryetarë të Komunave dhe me Kryesues të Kuvendeve Komunale për të diskutuar dhe bashkëpunuar lidhur me zbatimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...