Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote që ta mësojnë qendrën e tyre të votimit duke vizituar platformën elektronike të KQZ-së, http://qv.kqz-ks.org.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se përmes kësaj platforme qytetarët do të mund ta ndryshojnë përmes telefonit qendrën e votimit brenda komunës së tyre, duke e caktuar sa më afër vendbanimit të tyre.
Zëdhënësi i KQZ-së, Elezi ka njoftuar se ndërrimi i Qendrës së Votimit brenda komunës do të mund të bëhet deri më 26 dhjetor 2024.
“Deri më 26 dhjetor 2024, çdo qytetar me të drejtë vote nëse dëshiron që ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës dhe ta caktojë atë sa më afër vendbanimit të tij, mund ta bëjë përmes platformës elektronike: http://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në komunën përkatëse të votuesit. Në platformën elektronike është e mjaftueshme që votuesi të shënojë numrin e tij të identifikimit dhe datëlindjen, dhe menjëherë do të shfaqen të dhënat për qendrën aktuale të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë qendrën e votimit brenda komunës, duke e caktuar atë sa më afër vendbanimit të tij, mund të paraqesë kërkesën e tij përmes kësaj platforme dhe pasi kërkesa do të shqyrtohet nga KQZ, brenda një kohe të shpejtë do të marrë përgjigje”, njoftoi Elezi.
Elezi ka theksuar se brenda 100 ditëve që nga fillimi i periudhës së aplikimit, janë regjistruar më shumë se 25 mijë votues jashtë Kosovës.
“Deri më tani, gjatë këtyre 100 ditëve, pas aplikimit përmes platformës elektronike diaspora.kqz-ks.org janë aprovuar 25 mijë 253 kërkesa ndërsa 1 mijë e 631 të tjera janë refuzuar. N ë shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre dhe gjithashtu aplikuesit e refuzuar njoftohen se mund të ri-aplikojnë për regjistrim dhe të bashkëngjisin dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së”, nënvizon Elezi.
Ai shton se pjesa më e madhe e shtetasve janë regjistruar për të votuar përmes postës, qoftë duke dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës apo brenda Kosovës.
“Nga 25 mijë e 253 aplikime të aprovuara, 6 mijë e 723 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike; 3 mijë e 912 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 14 mijë e 618 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, tha Elezi.
Elezi ka paraqitur edhe të dhënat e fundit, sipas të cilave me mijëra qytetarë kanë shfrytëzuar platformën elektronike që të paraqesin online kërkesën e tyre për ndërrimin e qendrës së votimit.
Ai tha se nga fillimi i kësaj periudhe, 29 gusht deri më tani, KQZ ka pranuar 2 mijë 475 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit.
“Nga fillimi i kësaj periudhe, 29 gusht dhe deri më tani, KQZ ka pranuar 2 mijë 475 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit, prej të cilat janë aprovuar 2 mijë e 400, ndërsa janë refuzuar 75 të tjera. Pjesa më e madhe e aplikimeve për ndërrimin e Qendrës së Votimit kanë ardhur përmes platformës eletronike pra, 1 mijë 975 sosh dhe 500 të tjera përmes zyreve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve”, tha Elezi./Njeshi/
aa