31.3 C
Pec
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Krasniqi: Kjo qeveri dështoi të finalizojë një punë pothuajse të kryer

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi mos anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e ka cilësuar si ditë të hidhur

Ai ka thënë se 17 maji është dëshmi e humbjes së mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“Sot, është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët tanë. Sot, do të duhej të festonim pranimin në Këshillin e Evropës. Në vend se të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Krasniqi.

“Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar ai.

Sipas tij, qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin tonë.

“Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, si PDK kemi insistuar menjëherë që Kosova të nis procedurat për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, duke e dhënë mbështetjen tonë të parezervë në çdo hap të këtij procesi”, ka shkruar Krasniqi.

Fatkeqësisht, sipas shefit të PDK-së, sot, dy vite më vonë, kur gjithçka ishte gati pasi kishim siguruar mbështetjen e nevojshme, për shkak të paaftësisë së plotë dhe papërgjegjësisë së skajshme të Qeverisë sonë, edhe kjo mundësi u humb. Akoma më keq, një rast i tillë nuk e dimë se kur do të na paraqitet prapë.

“Qytetarët e Kosovës sot kanë çdo të drejtë të ndjehen të indinjuar dhe të papërfaqësuar. Ata dhe shteti ynë, kanë merituar më shumë – kanë merituar më mirë”, ka shkruar Krasniqi.

“Për PDK-në, rrugëtimi drejt integrimit evropian të shtetit tonë është i paalternativë. Përkushtimi ynë për drejtësi, demokraci dhe të drejta të plota për çdo qytetar të Kosovës mbetet i palëkundur”, ka shtuar ai.

Për këto arsye, shefi i PDK-së ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe formimin e një qeverie të re.

“Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heqë Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euro-atlantik – është e domosdoshme. Sot, edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...