Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka pritur në selinë e partisë, ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier.
Krasniqi tha se me Hovenier kishte një diskutim miqësor dhe konstruktiv në raport me zhvillimet e fundit politike në vend.
“Ambasadorit Hovenier i shpreha edhe një herë qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat tona në raport me propozimin evropian tashmë të pranuar nga Kryeministri Kurti”, tha ai.
Tutje theksoi se për PDK-në, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe një mundësi e humbur për të arritur një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe me njohjen e ndërsjellë në qendër.
Sipas tij, edhe pse pasur mbështetjen, Krasniqi thotë se Kurti ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës.
“Përkundër mbështetjes që PDK i ka dhënë kryeministrit Kurti për dy vjet me radhë në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë, përmes gabimeve e veprimeve kryeneçe dhe në shpërputhje me kontekstin politik, ai ka dështuar që të arrijë përmbushjen e qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
“Ambasadorin Hovenier e falënderova për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe e sigurova që PDK gjithmonë do të veprojë në përputhje ne interesin shtetëror dhe qytetar të Kosovës”, shkroi Krasniqi./Njeshi/