Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në zyre emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin ka bërë të ditur se kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, por edhe rajon
Krasniqi thotë se e ka njoftuar Sarrazin se partia që ai drejton është e angazhuar për ruajtjen e interesit të Kosovës.
“Bashkë me Bedriun dhe Vlorën, në selinë e PDK-së, e pritëm Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë”.
“Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Poashtu, i pari i PDK-së ia ka bërë të qartë emisarit gjerman se për PDK-në bashkëpunimi me aleatët është tejet i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit euro-atlantik.
“Për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm. Në këtë drejtim, PDK mbështetë të gjitha nismat e mirëfillta të cilat rrisin dhe fuqizojnë bashkëpunimin konstruktiv rajonal – si hap konkret drejt përafrimit të rajonit me Bashkimin Evropian.
Emisarin Sarrazin e falënderova për kontributin e vazhdueshëm të Gjermanisë për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Manul Sarrazin ndodhet në Kosovë, ku pas vizitave zyrtare që do të zhvillojë, ai do të mbajë konferencë për media sot pasdite në terminalin VIP të Aeroportit të Prishtinës./Njeshi/