34.1 C
Pec
E diel, 14 Korrik, 2024

Kryeministri Kurti në Pejë, vizitoi familjen Bala, ku Serbia bëri masakër, më 12 Qershor ’99

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka qëndruar në Pejë.

Në lagjen ‘Dardania’ Kurti ka vizituar familjen Bala, të cilës, më 12 Qershor 1999, Serbia ja vrau 5 fëmijë.

Më 12 qershor 1999, forcat paramilitare dhe militare të Serbisë, në Pejë, vranë Agonin (6 vjeçar), Dardanen (11 vjeçare) dhe Hajriun (12 vjeçar). Nëna e tyre, Halisja, u mbijetoi nëntë plumbave në trup. Mbijetoi edhe Isa me të birin Vetonin (8 vjeçar). Motrat Nita dhe Rina (5 dhe 6 vjeçare) bashkë me nënën Vjollcën (28 vjeçare), vëllai i vogël Rroni (4 vjeçar) ishte fshehur pas nënës së tij Vjollcës. Kur kishin filluar të shtënat ai ishte alivanosur. Pasi ishte zgjuar, kishte shkuar te dhoma e gjyshes Mahije, që ishte e paralizuar. Ishte fshehur nën këmbët e saj. Të atin, Musën (31 vjeç) e kishin rrëmbyer me dhunë. Pesë ditë më vonë, më 17 qershor 1999, ai u gjetë i vrarë, i gjymtuar nga torturat.

Kurti ka shkruar për vizitën e sotme dhe për ngjarjen e rëndë të Pejës.

Postimi i plotë:

Teksa drita e lirisë po agonte në Kosovë, në errësirën e natës forcat e Serbisë po kryenin masakra.

Në ditën e çlirimit të Kosovës, në mbrëmjen e 12 qershorit 1999, në Dardani të Pejës u vranë 5 fëmijë.

Pjesëtarët e forcave serbe hynë me dhunë në dhomat ku po flinin fëmijët. I mblodhën të gjithë anëtarët e familjes Bala në një dhomë.

I vranë motrat Nita dhe Rina (5 dhe 6 vjeçare) bashkë me nënën Vjollcën (28 vjeçare). Vëllai i vogël Rroni (4 vjeçar) ishte fshehur pas nënës së tij Vjollcës. Kur kishin filluar të shtënat ai ishte alivanosur. Pasi ishte zgjuar, kishte shkuar te dhoma e gjyshes Mahije, që ishte e paralizuar. Ishte fshehur nën këmbët e saj. Të atin, Musën (31 vjeç) e kishin rrëmbyer me dhunë. Pesë ditë më vonë, më 17 qershor 1999, ai u gjetë i vrarë, i gjymtuar nga torturat.

Më 12 qershor u vranë edhe Agoni (6 vjeçar), Dardanja (11 vjeçare) dhe Hajriu (12 vjeçar). Nëna e tyre, Halisja, u mbijetoi nëntë plumbave në trup. Mbijetoi edhe Isa me të birin Vetonin (8 vjeçar).

Askush nuk është dënuar, e as gjykuar për këtë masakër.

Në dhomën e ditës janë ende gjurmët e krimit të asaj nate. Në jetën e familjes Bala janë të përjetshme gjurmët e asaj masakre. Sikurse vrimat e plumbave në muret e shtëpisë, të hapura janë plagët në zemër.

Në këtë ditë të shënimit të një çerekshekulli të çlirimit të Kosovës, përkujtojmë të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë. Plagët e hapura të familjes Bala dhe të gjitha familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre kërkojnë drejtësi. Këto krime nuk mund të mbeten të pandëshkuara.

Nuk mund të harrohen vuajtjet e qëndresa e popullit. Shumë gjak është derdhur e shumë jetë janë dhënë për lirinë që e gëzojmë sot. Falë kësaj sakrifice, brezat tani rriten të lirë. Po rriten me lirinë edhe tre fëmijët e Vetonit. Vajza mbanë emrin e hallës së vrarë, Dardane.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë martirët e dëshmorët që u flijuan për liri! Lavdi!’-shkruan kryeministri Kurti./Njeshi&RADIO 1/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...