Dy shoqëritë më të vjetra muzikore, SHKA ‘Sofra Pejane’ dhe SHKA ‘Përparimi’, kanë takuar në Pejë, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti me bashkëpunëtorë.
‘Avancimi i vlerave muzikore, kulturore dhe ai i trashëgimisë shpirtërore, kanë qenë temë e takimit! Është potencuar nevoja permanente për bashkërendim të mbështetjes institucionale. Kryeministri është informuar për mbështetjen financiare ndër vite, që SHKA ‘Sofra Pejane’ e gëzon nga bizneset e fuqishme pejane, me ndikim në Kosovë, veçanërisht ‘Elkos Group’. Është biseduar edhe për zejet në rrezik të shuarjes, si pjesë identitare e traditës dhe kulturës pejane. Mikpritja e bujaria sinqert, mbetet vlerë që Pejën e karakterizon çdoherë!’-thuhet në komunukatën e këtyre dy shoqërive të njohura.
Ndërsa për ngjarjen ka shkruar edhe kryeministri Kurti.
‘Shoqëritë Kulturore Artistike “Sofra Pejane” me traditë dyshekullore dhe “Përparimi” me aktivitet që nga viti 1939, janë dy nga shoqëritë më emblematike të qytetit të Pejës dhe të gjithë Kosovës. Si kultivuese të trashëgimisë sonë kulturore muzikore, duke i përballuar edhe kohët më të vështira të shtypjes e përndjekjes ndaj popullit dhe kulturës shqiptare, këto dy shoqëri vazhduan aktivitetin me këmbëngulje të madhe. Edhe sot vazhdojnë të pasurojnë përditë e më shumë skenën e muzikës popullore.
Sofra e mbushur e Pejës sonte na mikpriti në shtëpinë e tyre. I jemi falënderues të gjithëve atyre që me punë të palodhshme mbajnë gjallë dhe kultivojnë me kujdes traditën tonë të vjetër muzikore.’-shkroi kryeministri Kurti./Njeshi&RADIO 1/