Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot në ndërtesën e Qeverisë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për herë të parë në këtë rol. Ai e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në udhëheqjen e Aleancës në këtë periudhë kritike për sigurinë evropiane dhe globale.
Ai theksoi se aspirata e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO reflekton përkushtimin e vendit tonë ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë dhe vullnetit për të kontribuar në fuqizimin të mëtejshëm të Aleancës.
Gjithashtu, Kryeministri falënderoi Sekretarin Rutte për bashkëpunimin e ngushtë mes misionit të NATO-s, KFOR-it, dhe institucioneve të sigurisë së Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s ndaj Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpërmjet misionit këshillëdhënës NALT.