Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të udhëtojë në Kiev të hënën për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, tha të dielën një burim politik.
Meloni, e cila mori detyrën në tetor, kishte thënë se kishte në plan të vizitonte Kievin përpara 24 shkurtit, përvjetori të pushtimit rus të Ukrainës.
Pavarësisht fërkimeve për këtë çështje brenda koalicionit të saj të djathtë qeverisës dhe opinionit të ndarë publik, Meloni ka qenë një mbështetëse e vendosur e Ukrainës.
Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi, lider i partisë konservatore Forza Italia që është pjesë e koalicionit të Melonit, javën e kaluar tha se nuk do të kërkonte një takim me Zelenskiy nëse ai do të ishte ende kreu i qeverisë, sepse ai fajëson presidentin ukrainas për luftën me Rusinë.
Partia Popullore Evropiane (EPP), anëtare e së cilës është Forza Italia, tha të premten se po anulonte një ngjarje të planifikuar në Napoli në qershor për shkak të komenteve të Berlusconit për Ukrainën, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani, një nga themeluesit e Forza Italia, tha të shtunën se ishte takuar me ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba në margjinat e një takimi të Grupit të Shtatë në Mynih, duke e siguruar atë për mbështetjen e Italisë, transmeton Klankosova.tv.
Italia dhe Franca kanë përfunduar së fundmi bisedimet për dorëzimin e një sistemi të avancuar të mbrojtjes ajrore në Kiev në pranverë. /Njeshi/