Prokuroria Themelore në Ferizaj përmes një konference për media, ka shpalosur detaje nga rasti i vrasjes së rreshterit policor Muhamed Lika nga Kaçaniku.
Kryeprokurori i kësaj prokurorie në Ferizaj, Burim Çerkini tha se nga provat që janë mbledhur deri më tani shihen se dy persona që kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
“Kanë ikur në këmbë, nuk kemi të dhëna që kanë shfrytëzuar ndonjë veturë apo ndonjë mjet tjetër për ikje nga vendi i ngjarjes”, tha Çerkini.
I pyetur nëse rreshteri ka pasur ndonjë problem, kryeprokurori tha se nuk kanë indikacione të tilla.
“Rreshteri njihej si një person profesional dhe nuk kemi as indikacionin më të vogël që ai gjatë punës së tij si zyrtar policor të ketë pasur ndonjë problem qoftë me procedurat që i ka zhvilluar si zyrtar policor në hetimin e çështjeve penale, apo të ketë ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij. Jemi në këtë situatë ku ende e kemi të padefinuar se cili ka qenë shkaku apo motivi i kryerjes së kësaj vepre penale”, tha Çerkini.
Kryeprokurori tha se në këtë akt është përdorur një armë e zjarrit dhe se në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja.
“Është përdorur një armë e zjarrit ku në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kablibrit 9.19mm nuk është hasur arma e dorasve që kanë kryer veprën penale, është gjetur vetëm arma e zyrtarit policor. Nga të dhënat deri më tani nuk na rezulton se ka pasur shkrepje me armë nga arma e zyrtarit të policisë”, tha Kryeprokurori.
Ai tutje shtoi se të dyshuarit nuk ishin të maskuar dhe se të njëjtit kishin vendosur vetëm kapela, por për shkak të kohës së kryerjes së veprës që ishte errësirë, e bënë më të vështirë identifikimin e tyre.
Kryeprokurori gjithashtu theksoi se ku akt nuk ka të bëjë me pjesë të grabitjes siç është raportuar.
“Nuk ka të bëjë me pjesë të grabitjes, i ndjeri ka qenë duke u kthyer nga vendi i punës dhe ka qenë duke shkuar në shtëpinë e tij. Nuk ekziston ndonjë pistë që të dyshuarit kanë pasur qëllim grabitjen. Ajo shihet qartë se qëllimi i tyre ka qenë ekzekutimi apo kryerja e veprës penale të vrasjes”, tha Çerkini.
Çerkini shtoi se kjo vrasje do të mund të jetë e planifikuar pasi që janë të përfshirë dy persona.
“Pasi që janë përfshirë dy persona mund të jetë që vrasja ka qenë e planifikuar”, tha ai.
E prokurori i rastit që ishte në vendin e ngjarjes tha se zyrtari policor ka marrë vetëm një goditje nga plumbi, por që e njëjta për të ishte fatale/Njeshi/