‘Kryetari i Komunës së Pejës, z.Gazmend Muhaxheri i shoqëruar nga Shefi i Kabinetit, Kastriot Belegu priti në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot dhe këshilltarin për çështje fetare në Ministrinë Franceze të Europës dhe Punëve të Jashtme, Jean-Christophe Peaucelle.
Në takim ishte i pranishëm edhe praktikanti i seksionit politik të Ambasadës së Francës, Théophile Montage.
Gjatë këtij takimi, u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në marrëdhëniet ndërfetare në Komunën e Pejës.
Kryetari Muhaxheri i informoi se Peja është shembull i bashkëjetesës dhe tolerancës fetare, duke theksuar marrëdhëniet shumë të mira me të gjithë përfaqësuesit fetarë në komunë.
Ai nënvizoi në veçanti bashkëpunimin e ngushtë dhe respektin reciprok me Patrikanën e Pejës, duke theksuar s’e Komuna e nderon me prezencën e saj në çdo festë fetare zyrtare.
Po ashtu, çdo vizitë turistike apo delegacion ndërkombëtar, që e viziton Pejën e viziton edhe Patrikanën, ku mikpritja dhe bashkëpunimi janë gjithmonë në nivelin më të lartë.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëbiseduese, duke theksuar interesimin dhe vlerësimin e palës franceze për harmoninë ndërfetare, që ekziston në Komunën e Pejës.-thuhet në komunikatën nga Zyra për Informim e komunës së Pejës./Njeshi/