Qeveria e Kosovës ka thënë se kthimi në institucione i serbëve të dorëhequr dy vjet me para ka procedura dhe rregulla të rekrutimit të cilat duhet të respektohen nga të gjithë, pa dallim.
Deklarata e Qeverisë pasoi thirrjen e BE-sa ndaj Kosovës që të mundësojë riintegrimin e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve dhe personelit tjetër serb të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës që ata u larguan në vitin 2022.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha për media se thirrjet per riintegrim të tyre kanë qenë të shumta e të hapura.
“Serbët në Kosovë janë pjesë e institucioneve të Kosovës, në të gjitha nivelet. Kjo është me rëndësi të theksohet. Ka prej tyre kanë dhënë dorëheqjen me 5 nëntor 2022. Disa si pjesë e grupeve ilegale serbe dhe urdhërit të Vuçiqit përmes kryekriminelit Millan Radoiçiq, e disa si shkak i presionit dhe shantazhit të Beogradit zyrtar. Megjithëkëtë institucionet tona kanë arritur ta mbyllin hendekun e krijuar, në mënyrë që të gjithë qytetarët pa dallim të marrin shërbimet që iu takojnë. Kthimi në institucione ka procedura dhe rregulla të rekrutimit të cilat duhet të respektohen nga të gjithë, pa dallim. Thirrjet kanë qenë të shumta e të hapura, e kemi parë edhe në gjeneratat e reja të Policisë së Kosovës ku ka patur interesim të lartë nga komunitetet joshumicë. Ne i kemi inkurajuar pjesëtarët e komunitetit joshumicë që të aplikojnë në thirrjet e hapura dhe e kemi mirërpritur interesimin e tyre, përkundër presionit nga Beogradi që vazhdon të vihen mbi ta dhe të gjithë tjetër që dëshirojnë integrimin”, tha Kryeziu /Njeshi/