3.6 C
Pec
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Kthimi i Trump në Shtëpi të Bardhë dhe raportet me Kosovën, çfarë parashikojnë ekspertët dhe analistët e huaj

Zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA nxorën Donald Trumpin fitues. Një lloj droje për rikthimin e tij ishte pothuajse në gjithë Europën – veçanërisht për politikat e tij ndaj NATO-s. Edhe në Kosovë s’munguan shqetësimet, sidomos për raportet me Serbinë dhe nëse mund të kthehet sërish ideja e shkëmbimit të territorit që ishte diskutuar gjatë Administratës së parë të Trump si një zgjidhje e mundshme. Për qasjen e mundshme që do ta ketë Administrata Trump në Kosovë folën analistët para dhe pas zgjedhjeve në Amerikë. Çfarë thanë Edward Joseph, David Philps, Frank Wisner, Adrian Shtuni, Tim Udah?

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin John Hopkins në SHBA, tha se kryeministri Albin Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira me ndërrimin e Administratës në Washington.

Joseph tha se do të jetë e vështirë për Kurtin veçanërisht nëse bashkë me Trumpin rikthehet edhe Richard Grenell, i cili ishte emisari special presidencial për dialogun Kosovë-Serbi.

“Në Serbi po e festojnë fitoren e Trumpit. Richard Grenell, të cilin Trumpi e përmendi në një tubim rishtazi, ka mundësi ta mbajë një pozitë të lartë, madje edhe pozitën e Sekretarit të Shtetit. Grenelli për kohë të gjatë ka pasur mospajtime me Albin Kurtin dhe ka vazhduar me kritika edhe këtë vit”, tha Joseph për Radion Evropa e Lirë.

Ndër emrat që mund të jenë pjesë e kabinetit të Trump, Reuters dje e listoi edhe emrin e Grenellit si pretendent kryesor për këshilltar për sigurinë kombëtare për emërimin e të cilit nuk kërkohet konfirmimi i Senatit. Reuters e theksoi edhe prezencën e Grenellit në takimin që pati Trump me presidentin ukrainas Zelensky në shtator të këtij viti.

Në vitin 2020, Kurti e kishte akuzuar Richard Grenellin se ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër.

Në atë kohë, Grenell kishte thënë se Kurti ishte antiamerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.

Joseph tha se kryeministri Kurti do të presë zgjedhjet e shkurtit dhe se pastaj do t’i duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me “njëanshmëri dhe shpërfillje ndaj Shteteve të Bashkuara”.

“Ai mbase mund të kishte dëshiruar ta ndryshonte kursin nën administratën Biden”, tha ai.

Edhe Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë më bazë në Uashington, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë thotë se nuk do të ishte e favorshme për Kurtin nëse Grenell emërohet Sekretar i Shtetit, ndërkaq Kurti rizgjidhet kryeministër pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

“Nuk do të ishte gjëja më e favorshme për kryeministrin Kurti nëse Grenell zgjidhet sekretar dhe Kurti rizgjedhet kryeministër pas zgjedhjeve të ardhshme”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, ai ka thënë se nuk pret ndonjë ndryshim dramatik nga Administrata Trump, duke shtuar se politika e jashtëzakonshme e SHBA-së është dypartizane tradicionalisht.

“Sigurisht çdo president ka strategjinë e vet dhe mënyrën e vet si do të zbatojë përparësitë e politikës së jashtme. Por, mendoj se prioritetet e SHBA-së do të vazhdojnë të jenë të njëjta dhe në Administratën Trump sa i përket Kosovës, pa njëfarë ndryshimi thelbësor. Theksi do të të jetë, mendoj, te normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nëpërmjet dialogut me qëllimin final për të arritur të njohja reciproke”, ka thënë ai.

Të kundërtën e mendon David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, i cili më 1 nëntor tha se do të ketë “ndryshim të madh” në qasjen e SHBA-së në Ballkan në rast se kthehet Trump në udhëheqje.

Ai tha se Trump e sheh ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për marrëdhëniet e saj të trazuara etnike dhe kjo, sipas tij, jo vetëm se do ta destabilizonte Kosovën, por do ta hapte Kutinë e Pandorës edhe në shtete të tjera multietnike të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina apo Serbia.

“Nëse Trump zgjidhet, ka gjasa të shohim një ndryshim të madh në qasjen e Shteteve të Bashkuara. Trump ka interesa financiare në Ballkan. Ai ka interesa të dëshmuara në transaksione në favor të SHBA-së”, tha Phillips për Exposenë në REL.

Përveç idesë së shkëmbimit të territoreve, Philips foli edhe për frikën tjetër të opinionit në Kosovë që ishte përmendur sa Trump ishte president  – mundësia e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.

Phillips paralajmëroi pasoja të konsiderueshme në këtë aspekt me Trumpin president.

“Një nga gjërat e para që Trump do të bëjë, është vlerësimi i politikës amerikane dhe i interesave të sigurisë. Unë do të prisja që [baza ushtarake amerikane në Kosovë] Bondsteel të eliminohej gradualisht. Gjithashtu, çdo hap për ta futur Kosovën në NATO, do të pezullohej”, tha Phillips.

Sikurse Philips edhe ish-emisari i SHBA-së për statusin e Kosovës, Frank Wisner, s’e përjashtoi mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.

“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga europianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, thotë Wisner.

Wisner komentoi edhe për prezencën e trupave amerikane në Kosovë. Ai tha se ato përmbushin një rol të dyfishtë në Kosovë, duke vepruar jo vetëm si mbrojtëse, por edhe si simbol i angazhimit të SHBA-së.

“Nuk është mirë të mendosh se çështjet e kësaj natyre zgjasin përgjithmonë. Por, duke pasur parasysh gjendjen e pazgjidhur të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shpresoj se trupat amerikane do të vazhdojnë të jenë pjesë e regjimit të sigurisë, në të cilin jeton Kosova”, thotë Wisner.

Gazetari i njohur britanik, Tim Judah, i cili ka raportuar edhe nga lufta në Kosovë në fund të viteve 90’ta, ka shfaqur dyshime se administrata e Trump mund të arrijë një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Mendoj se nuk ka gjasa, sepse në fund të ditës, duhet të ketë vullnet politik në Kosovë dhe në Serbi, apo në qeveritë e tjera paraprake të Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, nuk mendoj se ka ndonjë vullnet politik për ta bërë këtë, pra nuk ka shumë rëndësi. Dua të them, po, sigurisht, është e rëndësishme nëse amerikanët dhe evropianët janë të bashkuar dhe mbështesin një formë zgjidhjeje”, ka thënë Judah.

“Fakt është se ata kanë qenë të bashkuar edhe në vitet e fundit, por problemi ka qenë te mungesa e vullnetit politik në Beograd dhe në Prishtinë. E dini, z. Trump u përpoq më parë. Kishte një nënshkrim të famshëm në Uashington për dy marrëveshje të ndara, por asgjë e madhe nuk doli prej tyre. Kështu që nuk jam i sigurt nëse do të ketë ndryshime në administratën e dytë të Trumpit”, ka shtuar ai.

Madje Judah thotë se vetë Trump as që ka menduar ndonjëherë për Ballkanin. Por, sipas tij, nëse Richard Grenell do të merr pozitë të lartë atëherë Qeveria aktuale në Prishtinë do duhej të shqetësohej.

“Nuk mendoj se z. Trump ka menduar ndonjëherë për Ballkanin. Ka disa njerëz rreth tij, si Richard Grenell, të cilët sigurisht se kanë menduar për Ballkanin.

Ajo që do të ndodhë, varet nga ata që do të emërohen në detyra të caktuara. Për shembull, a do të kthehet Richard Grennell, i cili luajti një rol të rëndësishëm më parë? A do të jetë sërish me ndikim? Në atë rast, mendoj se ndoshta ka arsye për t’u shqetësuar, veçanërisht për Qeverinë në Prishtinë” thekson ai.

“Nëse e pyesni Trumpin sot, cilat janë prioritetet tuaja në Ballkan, mendoj se ai ndoshta nuk do të kishte ide, ndoshta do të kishte vështirësi edhe për ta gjetur Ballkanin në hartë, pra, nuk mendoj se Ballkani është në listën e çështjeve të tij kryesore. Megjithatë, ai duhet të emërojë persona që do të hartojnë politika dhe të merren me pjesën tjetër të botës. Le të shohim se kë do ta caktojë”, konkludon Judah.

Para zgjedhjeve të SHBA-së, kryeministri Albin Kurti tha se do të bashkëpunojë me liderët që vijnë nga “të gjitha anët e spektrit politik”, ndërsa tha se është demokrat si kryetar i Vetëvendosjes.

“Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës dhe bashkëpunoj me udhëheqës të shteteve që janë nga të gjitha anët e spektrit politik – kjo si kryeministër. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, natyrisht që jam social-demokrat, jam demokrat dhe nuk kam asgjë të re të shtoj”, tha Kurti në një konferencë për gazetarët në Prishtinë.

Pasi u dha lajmi se Trump fitoi zgjedhjet, Kurti shkroi në X se “mezi pret të punojë së bashku për përparim dhe paqe”.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani e potencoi disa herë se SHBA-ja pavarësisht kë pati në udhëheqje – demokratë ose republikanë – e kishin ndihmuar Kosovën/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...