Nesër koncerti i radhës me dirigjentin amerikan Gregory Charette, pritet të jetë më i veçantë se asnjëherë me parë. E kjo për shkak të video-ekspozitës me familjarët e personave të pagjetur.
Interpretimi i veprës “Fratres” nga Arvo Part, nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do bëhet një me fotografitë e familjarëve të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, projekt i realizuar nga Integra në bashkëpunim me forumZDF.
Regjisori Kushtrim Koliqi, drejtor në organizatën “Integra”, tha se përmes kësaj ekspozite po tregojnë që të gjitha nivelet e shoqërisë janë të brengosur për çështjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur në Kosovë.
“Çështjen e të pagjeturve nuk duam ta lëmë vetëm në nivel të politik-bërjes, por edhe ta trajtojmë edhe përmes artit, artit të fotografisë, artit të videos, regjisë, në këtë rast artit të muzikës. Jam shumë i kënaqur edhe me përzgjedhjen e veprës, edhe me provat që i pash i dëgjova, dhe të njëjtën kohë jam shumë i kënaqur që kjo kauzë po trajtohet edhe prej një institucioni kredibil siç është Filharmonia e Kosovë. Po japim shenjë që të gjitha nivelet e shoqërisë, të gjitha profileve jemi të të brengosur me çështjen e të pagjeturve, dhe është një kambanë e madhe për të gjithë ata që bëjnë politike por duhet me marrë vendime që me u marrë më shumë me çështjen e të pagjeturve”, tha ai.
Në një konferencë për media, drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari shpalosi detaje të koncerti që do të mbahet këtë të diele.
“Koncerti do të filloi me një video ekspozitë dhe krahas këtij momenti, orkestra harkore e filharmonisë do të luaj veprën emblematike të kompozitorit estonez Arvo Part e cila muzikë besojmë do të bëhet një, bashkë me video projeksionin, ku do të përjetojmë momente jo të lehta lidhur me të pagjeturit”, tha ai.
Në program është koncerti për orkestër të kompozitorit Paul Creston ku në cilësinë e solistit prezantohet Dardan Gjinolli, ndërsa në pjesë ne dytë të programit orkestra e madhe simfonike e Filharmonisë së Kosovës do të realizojë veprën mjaft të popullarizuar të kompozitorit dhe dirigjentit Leonard Bernstein, e titulluar “Vallet simfonike nga tregimet e perëndimit”.
Gjinolli bëri të ditur që Paul Creston po luhet për herë të parë në Ballkan. /Njeshi/
]]>