Çereku i parë i ndeshjes përfundoi me rezultat 25:10 në të mirë të vashave të Prishtinës, të cilat ishin më të mira se ato të Bashkimit në çdo aspekt e sidomos në gjuajtjet për dy pikë.
Në çerekun e dytë, vashat nga Bashkimi ishin më të mira dhe kështu arritën ta ngushtojnë epërsinë duke shënuar 22 pikë, ndërsa ato nga Prishtina arritën të shënonin 14 pikë, kështu që rezultati i pjesës së parë ishte 32 me 39 në të mirë të tyre.
Në çerekun e tretë të ndeshjes, Prishtina u rikthye duke arritur ta mbajë epërsinë e krijuar në pjesën e parë. Prishtina në këtë çerek u tregua më e mirë duke shënuar 22 pikë, ndërsa Bashkimi arriti të shënojë vetëm 17.
Rezultati pas përfundimit të këtij çereku ishte 49 me 61 në të mirë të vajzave nga kryeqyteti. Ndërsa në çerekun e dytë, Prishtina vazhdoi me lojë të mirë duke ruajtur epërsinë deri në fund të ndeshjes.
Te skuadra e Prishtinës më e dalluara ishte basketbollistja Williams me 22 pikë të shënuara, pasuar nga Irma Konjusja me 21. Ndërsa te Bashkimi më e mira ishte amerikania Shaw, e cila u përjashtua në çerekun e tretë pas 5 gabimesh të shkaktuara.
Trajneri i skuadrës së Prishtinës, Fidan Shatri, u shpreh i lumtur me fitoren e arritur pasi sipas tij ata kanë eliminuar konkurrentin kryesor për fitimin e kupës.
Po, mendoj që filluam ndeshjen shumë mirë. Ishte çereku i dyte i keq për ne që bëmë shumë gabime sidomos në fazën e sulmit dhe të mbrojtës. Në çerekun e tretë e morëm lojën nën kontroll dhe në fund rezultati po mendoj që është real dhe fituam me merite. Mendoj që kemi një ekip që kemi në pozitë janë nga dy lojtarë dhe ndoshta rotacioni më i madh që e kemi në ekip e bën edhe diferencën në krahasim me Bashkimit”, tha trajneri i skuadrës nga Prishtina.
“Pra, t’ju them të drejtën, starti në fillim ishte shumë i dobët, s’di çka patën edhe vajzat që i pranuan gati 25 pikë sa di unë nuk jam i sigurt dhe kjo ndikoi sidomos në lojën tonë edhe madje në çerekun e dytë pak u këndellëm, u kthyem pak me rezultat, mirëpo në çerekun e tretë lojtarja jonë Shaw bëri katër gabime, madje bëri edhe gabimin e pestë si pa nevojë. Ne ramë drastikisht edhe moralisht, u munduam të japim maksimumin. Prishtina e meritoi finalen, kështu që i uroj sukses në finale”, tha ai.
Prishtina do të ndeshet me skuadrën e Penzës, e cila e ka siguruar më parë kualifikimin në finale.
Ndeshja finale në konkurrencën e femrave do të zhvillohet të dielën me fillim prej orës 15:00.
]]>