Komisioni Evropian do të publikojë sot Raportin e Kosovës për vitin 2024 dhe Paketën e Zgjerimit.
Në njoftim të lëshuar për media thuhet se shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, bashkë me Oliver Varhelyi, komisionerin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, do të mbajnë konferencë për media duke filluar nga ora 15:00, për Paketën e Zgjerimit 2024.
Më pas, në ora 17:30, ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav dhe zëvendëskryeministrin e Besnik Bislimi, në ndërtesën e Qeverisë, do të mbajnë konferencë për media për Raportin për Kosovën për vitin 2024.
Kryeministri Kurti në një konferencë të mbajtur dje, ka thënë se raporti është shumë voluminoz dhe sipas tij, qysh në ditën e parë, për thekset kryesore do të mund të diskutohet e shqyrtohet.
“Për çështjen e integrimit evropian, raporteve me Bashkimin Evropian, nesër do ta pranojë edhe zyrtarisht Raportin e Progresit për vendin tonë dhe do të mundemi që t’ju drejtohemi lidhur me të gjitha gjërat të cilat thuhen e shkruhen e aludohen aty, sepse është shumë voluminoz, por besoj që qysh në ditën e parë, për thekset kryesore do të mund të diskutojmë e t’i shqyrtojmë ato”, është shprehur Kurti të martën.
Siç u raportua Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.
Të dyja palët rikujtohen se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që tash është edhe formalisht obligim për të dyja vendet. /Njeshi/