Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar qëndrimin e tij karshi kërkesave të emisarëve perëndimorë duke thënë se ata janë duke e zhvilluar këtë proces me “kapelën e ndërmjetësuesit”.
Siç ka deklaruar kryeministri Kurti, Kosova gjithmonë u është përgjigjur kërkesave të SHBA-ve dhe BE-së, por shtoi se kjo qasje ndryshon kur bëhet fjalë për kërkesat e tyre në raport me Serbinë.
Si shembull, Kurti ka përmendur strehimin e refugjatëve afganistanë në Kosovë, që tha se nuk pati asnjë dilemë.
“Unë jam i bindur se do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët edhe evropian edhe amerikan, por raportet tona bilaterale me SHBA dhe BE janë të shkëlqyeshme. Kur vjen emisari evropian apo amerikan si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është ne pyetje Evropa apo Amerika, por është në pyetje raporti ynë me Serbinë. Dhe kjo natyrisht që s’është e njëjta gjë. Duhet ta dalloni kërkesën që na bënë Amerika p.sh për t’i pranuar refugjatët nga Afganistani, 1893 i kemi pranuar. Këtu s’kemi kurrfarë dilema. Kur SHBA në kuadër të raporteve bilaterale kërkojnë diçka prej neve ne s’kemi kurrfarë dilemash”, tha sot kryeministri Kurti.
“Por, kur emisari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë në raportin tonë me Serbinë, ne duhet të mendojmë mirë, te jemi të vëmendshëm të kujdesshëm, por natyrisht gjithnjë te jemi bashkëbisedues e të përkushtuar”, ka deklaruar kryeministri.
I pari i Qeverisë po ashtu tha se në takimin me dy emisarët, Escobar dhe Lajçak ka qenë konstruktiv dhe i përkushtuar, por se sipas tij gjërat nuk zgjidhen me trysni e përmendje pasojash.
Kryeministri i vendit u shpreh se ka sfida me të dy, por siç theksoi Kurti marrëdhëniet biletareale me ShBA dhe BE janë të shkëlqyeshme.
“Kam qenë konstruktiv, i përkushtuar, kreativ dhe jam që të gjitha këto, por nuk mendoj që këto gjëra zgjidhen me trysni e me përmendje pasojash, ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur që do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët evropianë dhe amerikanë, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe SHBA-në janë të shkëlqyeshme”, tha Kurti para gazetarëve. /Njeshi/