18.9 C
Pec
E premte, 17 Maj, 2024

Kurti: Gjaku i Luan Haradinajt skuqi gurët që ai kishte ëndërr t’i shembte, ra për lirinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kujtuar heroin Luan Haradinaj në përvjetorin e rënies së tij.

Ai ka shkruar se sot 27 vjet më parë Luan Haradinaj po i printe grupit të luftëtarëve që po hynin nga Shqipëria në Kosovë kur u ndeshën me ushtrinë jugosllave dhe ai mbeti i vrarë.

Kurti ka përmendur edhe plagosjen e Ramush Haradinajt, Fehmi Lladrovcit dhe Rafet Ramës.

Ai ka thënë se pas gjashtë muajsh UÇK u shfaq për herë të parë.

“Deri atë ditë, gjatë katër viteve të fundit të jetës së tij, Luan Haradinaj e kishte kaluar shumë herë kufirin jugosllav të vendosur dhunshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Atë ditë, ai po i printe grupit të luftëtarëve që po hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit. Data ishte 6 maj 1997, ditë e martë. Në grupin që po i printe Luani, ishte vëllai i tij, Ramushi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur iu afruan zonës kufitare në Qafëmullar, ata u ndeshën me ushtrinë jugosllave, në një terren të zhveshur dhe në një reliev të egër malor. Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Rafeti, Fehmiu dhe Ramushi u plagosën”, shkroi Kurti.

“Gjaku i Luan Haradinajt, i skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve”, tha tutje.

“Nga ajo kohë do të duheshin edhe gjashtë muaj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të shfaqej publikisht, por Luani me vëllezër dhe shokë kishte vite që punonin për atë ditë. Me aktivitetet dhe ndërlidhjet mes grupeve, me aksionet e armatosura, me furnizimet me logjistikë dhe me shembullin e angazhimit të tij me përkushtim e trimëri, Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së. Sot u bënë 27 vite nga dita e rënies së Luanit, në një kohë kur ai ishte vetëm 23 vjeçar. Lavdi Luan Haradinajt për veprën e tij patriotike mes shokësh dëshmorë të rënë për lirinë e Kosovës!””, përfundoi Kurti./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...