Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se autoritetet janë duke kryer punët e shtëpisë sa i përket planit për hapjen e Urës mbi Ibër në Mitrovicë
Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se janë duke i bërë të gjitha konsultimet për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Ai paralajmëroi se çështja e urës do të diskutohet edhe në takimin me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, i cili pritet të jetë nesër në Kosovë.
“Pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e kaluar, në harkun kohor të pak ditëve, mysafirë i kemi patur në kryeministri shefin e Agjencisë Qendrore për Inteligjencë, William Burns dhe Admiralin Stuart Munsch i cili është Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv, në shërbim të paqes dhe sigurisë, të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe progresin demokratik dhe ekonomik. Nesër për vizitë vjen z.Thomas Goffus, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, sot vjen delegacioni danez i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërkaq javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s.
Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Qeveria Kurti që të mos marrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të cilat sjellin pasoja negative te një pakicë njerëzish.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë vazhdimisht se hapja e urës së Ibrit duhet të bëhet vetëm përmes dialogut, ndërsa javën e kaluar tha se Qeveria Kurti bën mirë që t’i dëgjojë mesazhet e partnerëve të saj.
Qeveria e Kosovës është shprehur kundër që të ketë diskutime për këtë çështje në Bruksel.
Për thirrjet që çështja e urës të diskutohet në Bruksel, Kurti ka thënë se diskutimet e viteve 2014-2017 kanë përfunduar me marrëveshje për hapjen e urës dhe me planin e zbatimit se si duhet hapur.
“Nëse është bërë një marrëveshje e bëhen diskutime mbi marrëveshjen, atëherë mënyrë indirekte është shkelje e marrëveshjes. Ne s’jemi të gatshëm të shkelim marrëveshjen. Nuk duhet të rinegociohet”, ka thënë Kurti, që ka shtuar se është i gatshëm të respektojë gjitha marrëveshjet.
Kurti ndërkohë ka thënë se nuk beson se marrëdhëniet me SHBA-në janë dëmtuar. Ai thotë se ai nuk është si kryeministrat tjerë të mëparshëm të Kosovës, por thotë se marrëdhënia që po ndërton me SHBA-në është më e fuqishme se kurrë./Njeshi/