Kryeministri Albin Kurti ka thënë se projekti për rehablitimin dhe modernizimin e bllokut A3 të Termoncetralit “Kosova A”, është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese që nga ndërtimi i termoncetraleve, gati 40 vjet më parë. Tenderi 137 milionësh është shpallur dje, për çka kanë raportuar mediat.
Kurti tha se me rehabilitimin dhe modernizimin do të ketë përfitime të shumëfishta, duke theksuar rritjen e kapacitetit prodhues. Nga 100-140 megavat sa prodhon kjo njësi aktualisht, Kurti tha se me rehabilitim synojnë që kapaciteti të shkojë në 215 megavat.
Ai theksoi se ky bllok se ka ndalur punën asnjëherë nga viti 1970, përveç për remont e kujdesin e domosdoshëm.
“Përfitimet do të jenë të shumëfishta. Po ia zgjasim jetën bllokut A3 për 20 vjet ose 150 mijë orë pune….Po rrisim kapacitetin që sot sillet rreth 100 deri në 140 megavat, pas rehablitimit e modernizimit po synojmë që kapaciteti i A3 të arrijë në 215 megavat…Për të njëjtën energji të prodhuar, A3 do të përdorë 30 përqind më pak thëngjill”, tha Kurti.
Kurti tha se ky invstim është nga fitimi i KEK në këto katër vjet.
Kostoja e parashikuar për këtë projekt është 137 milionë e 340 mijë euro, e punimet parashihet të zgjasin 24 muaj.
Në dosjen e tenderit janë renditur arsyet pse nevojitet rehabilitimi dhe modernizimi i kësaj njësie, teksa theksohet se qëllimi kryesor është zgjatja e jetëgjatësisë së kësaj njësie edhe për 20 vjet.
“Qëllimi/objektivi kryesor i këtij modernizimi është të zgjasë jetëgjatësinë funksionale të impiantit për një periudhë të tjera 20-vjeçare”, thuhet në dosje.
Aty theksohet se kjo njësi luan rol vendimtar në plotësimin e 10 përqind të kërkesës për energji elektrike dhe se është thelbësore për furnizimin me rrymë të vendit.
“Rehabilitimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A është një hap vendimtar drejt modernizimit dhe optimizimit të performancës së tij. Projekti do të rrisë efikasitetin, do të përmirësojë pajtueshmërinë mjedisore dhe do të zgjasë jetëgjatësinë operative të njësisë. Duke investuar në rehabilitimin e Njësisë A3, Termocentrali Kosova A do të kontribuojë në një të ardhme të qëndrueshme energjetike, duke përmbushur kërkesat në rritje për energji të rajonit duke minimizuar ndikimin mjedisor”, theksohet në dokument.
Por, çka përfshin saktësisht ky rehabilitim e modernizim? Pjesët që do të rehabilitohen janë kaldaja, turbina, gjeneratorët, transformatorët dhe sistemet e kontrollit.
Ndërhyrje do të bëhen në sistemin e bojlerit, ku do të bëhet rinovimi ose zëvendësimi i komponentëve kritik të bojlerit, rreshtimi refraktar e sistemi i furnizimit me thëngjill; sistemi i turbinës dhe gjeneratorit, ku do të bëhet inspektimi dhe renovimi i tyre, duke u mos përjashtuar as instalimi eventual i turbinës dhe gjeneratorit të rid he riparimi dhe modernizimi i kullës ftohëse; sistemi i elektrikës, që do t’i nënshtrohet inspektimit, renovimit dhe modernizimit; sistemi i përgatitjes kimike të ujit apo “PKU”; Sistemi i Kontrollit dhe Instrumentimit; Sistemet e kontrollit të mjedisit; Sistemet e sigurisë, ku do të bëhet përmirësimi i valvulave të sigurisë, pajisjeve për lëshimin e presionit, detektorëve të flakës dhe mbrojtjeve të djegjes për të siguruar funksionim të sigurt dhe të besueshëm dhe Përmirësimet e efikasistetit, që parasheh optimizimin e sistemeve të qarkullimit të ujit dhe avullit, sistemet e ajrit me djegie dhe zbatimi i teknologjive moderne për rritjen e efikasitetit për të reduktuar humbjet e energjisë dhe për të përmirësuar efikasitetin e përgjithshëm të njësisë./Njeshi/