Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është qeveria që më së shumti ka pasur në fokus, sipas tij, politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti këtë e tha pasi bëri të ditur se mbrëmë ka vizituar fëmijët që kanë lindur të parët në vitin 2025.
“Menjëherë pas mesnatës iu bashkuam gëzimit të zonjës Teutë për vajzën e saj Poemën dhe zonjës Fortesë për djalin e saj Diamantin, që erdhën në jetë të parët gjatë ndërrimit të motmoteve. Edhe nënat edhe foshnjat ishin shumë mirë me shëndet. Ne u uruam mbarësi dhe jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre”, ka shkruar Kurti.
“Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët, dhe do të vazhdojmë kësisoj edhe në këtë vit që sapo hymë. Investimi dhe mbështetja e vazhdueshme e gjithnjë më e madhe për ta është qenësore për popullin dhe të ardhmen tonë”, shkroi ai./Njeshi/