3.8 C
Pec
E mërkurë, 13 Nëntor, 2024

Kurti kërkoi kthimin e zonës së sigurisë në kufirin Kosovë-Serbi, deklarohet KFOR-i

48 baza operative ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe rreth kufirit me Kosovën, ishin vendosur menjëherë pas luftës, dhe vazhdojnë të jenë operative.

Këtë shqetësim ka vite që e ngrit Kryeministri.

Saktësisht në kohën kur këto baza janë vendosur, ishte hequr zona 5 kilometërshe e sigurisë rreth kufirit me Kosovën.

23 vjet pas, kryeministri Albin Kurti nga NATO po kërkon rikthimin e zonës së sigurisë tokësore dhe ajrore. Kurti thotë se brenda dy viteve Serbia e ka sjellë katër herë ushtrinë e saj rreth kufirin tonë.

Kërkesës së Kryeministrit i është përgjigjur misioni i KFOR-it, duke e refuzuar tërthorazi këtë ide.

Në përgjigjen per media misioni i KFOR-it ka thënë se zona e sigurisë tokësore dhe ajrore është relaksuar plotësisht në vitin 2015.

Duke e theksuar se veprojnë në përputhje me rezolutën 1244, misioni i KFOR-it konstaton se forma se si funksionojnë tash është e duhura dhe nuk ka vend për ndryshime.

“Zona e sigurisë tokësore dhe ajrore, e krijuar përmes Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake të vitit 1999, u relaksua plotësisht në vitin 2015.

KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibël dhe monitoron nga afër situatën.

Ne vazhdojmë të përmbushim mandatit tonë nga Kombet e Bashkuara – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 – duke kontribuuar në një mjedis të sigurt, për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë. Gjithashtu, komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin e Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të Serbisë. Ky është çelësi për të garantuar siguri të qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal”, ka thënë KFOR./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...