10 C
Pec
E mërkurë, 28 Shkurt, 2024

Kurti krenar me studentët bursistë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takuan sot 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, arritje të cilën e festuan nën ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Kurti para studentëve u shpreh shumë krenar që ata janë pjesë e universiteteve publike të Kosovës, derisa i uroi suksese të mëtejme.

“Në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1000 Euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 po mbështesim me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem”, tha kryeministri duke kujtuar se synimi për vitin e ardhshëm është dyfishimi i numrit.

Përveç studentëve, përfitues të bursave në shumë prej 300 eurosh kanë qenë edhe nxënësit e shkollave të mesme.

Sipas Qeverisë, vazhdon të ketë lehtësime për regjistrimin në klasën e 10-të në shkolla profesionale e gjimnaze, si dhe vende te rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet joshumicë në institucionet e arsimit të lartë.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci, pasi i përgëzoi studentët për përfitimin e bursës, tha se një shoqëri e cila kujdeset për të gjithë qytetarët, një Qeveri e cila ofron mbështetjen e merituar për secilin, dhe një shtet që i krijon kushtet secilit të ri dhe të re ta arrijë maksimumin e potencialit të vet, kanë qenë jo vetëm zotimet tona, por edhe ajo që na ka prijë në programin tonë dhe në jetësimin e këtyre politikave në praktikë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se kjo është Qeveria e parë që i mbështet studentët jo vetëm deklarativisht dhe jo vetëm me rezervimin e një vendi në fakultetet publike, mirëpo edhe një bursë përcjellëse.

“Me arsimin në prioritet, Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të angazhohet që për të rinjtë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të ketë kushte më të mira për mësim dhe mbështetje të nevojshme për të vazhduar studimet dhe ngritjen akademike e profesionale”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Pas fjalimeve hyrëse, u zhvillua edhe bashkëbisedim ndërmjet kryeministrit Kurti, ministrave të pranishëm dhe studentëve përfitues të bursës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët ndanë përvojat e tyre, dhe në të njëjtën kohë falënderuan kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen.\Njeshi\

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...