5.3 C
Pec
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Kurti në akademinë përkujtimore: Afrimi dhe Fahriu e përkryen veprën e tyre politike në një shembull të përbashkët

Kryeministri Albin Kurti, në akademinë përkujtimore në 35-vjetorin e rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, para të pranishmëve ka thënë se me aktin e tyre të rezistencës dhe qëndresës, Afrimi dhe Fahriu e përkryen veprën e tyre politike në një shembull të përbashkët, si dy shokë të idealit, si dy dëshmorë të kombit, si dy heronj të popullit tonë liridashës.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës e ndjej gjithë peshën aq të rëndë, por edhe aq të çmuar të veprës së heronjve të popullit Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut e ardhur si një amanet politik për të gjithë ne, një amanet që duhet lexuar veçanërisht në përvjetorët e rënies së tyre”, tha Kurti.

“Por çka na thotë më saktë amaneti politikë i Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut. Le ta lexojmë atë duke rikujtuar fjalët e tyre, gjegjësisht të Afrimit, ku në fjalimin e tij në demonstratën e 1 nëntorit 1989, vetëm një ditë pasi të vritej, po citoj ‘Të bashkohemi rreth lëvizjes dhe kushtrimin për liri ta qojmë në çdo shtëpi shqiptare, e këtë kushtrim’, Fahriu e kishte thënë mes shokësh pa numër herë, duke këmbëngulur siç tregojnë ata ‘vetëm me luftë të armatosur mund të çlirohet Kosova’”, u shpreh Kurti.

Sadete Zhitia, motra e heroit Afrim Zhitia, kërkoi nga liderët e vendit që të punojnë sa më shumë në të gjitha proceset që ka Kosova me Serbinë.

“Kjo na bën të besojmë fuqishëm se procesi i lirisë dhe shtet-bërjes po kalon krejt natyrshëm shkallët e domosdoshme me njerëzit e duhur në secilën fazë të saj. I nderuar kryeministër, Glauk, Liburn dhe të gjithë ju që jeni në ballë të proceseve, po vazhduat ta stoponi Serbinë dhe të zezat e saj kundër shtetit tonë dhe ta mbroni sovranitetin e republikës siç po e bëni, i keni bërë të gjitha, kështu mendoj që do ta keni bekimin e heronjve dhe përkrahjen e shqiptarëve”, tha Zhitia.

Ndër tjera, sipas Kosovapresss, në ceremoni të përkujtimit ka folur edhe nipi i heroit Fahri Fazliu, Fahri Fazliu i riu, i cili tha se si familjarë ndihen të gëzuar kur shohin që 35 vite pas rënies së Afrimit dhe Fahriut, kujtimi për ta ende vazhdon të nderohet.

“Na vjen mirë të shohim që kujtimet dhe rrëfimet për Afrimin dhe Fahriun nuk janë vetëm kujtime dhe rrëfime në mes familjarëve dhe shokëve, por janë edhe ngjarje të shënuara nga vet shteti i Kosovës dhe këto ngjarje nga viti në vit po e marrin vendin e tyre në historinë e Kosovës”, tha Fazliu. /Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...