“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ceremonisë solemne në përvjetorin e themelimit, ku janë duke marrë pjesë personalitete të larta shtetërore.
Teksa ka përmendur sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Kurti ka thënë se ajo situatë ka dëshmuar se çfarëdo aspirate e kujtdo, mbi Republikën e Kosovës, territori i vendit është i gatshëm të mbrohet edhe me jetë.
“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. Pas përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri, policia u bë institucioni i parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, e që në mes dhimbjeve të madha dhe humbjeve nga lufta, sytë i kishte nga rimëkëmbja. Veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit, nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveqanit, dëshmojnë me profesionalizëm dhe pasion arrihen rezultate për sundim të ligjit.
Banjska ka risjell në vëmendjen e secilit prej nesh, se pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo çoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë”, tha kreu i qeverisë në ceremoninë e policisë.
Po ashtu, kryeministri ka thënë se përvec mbështetjes së Qeverisë, Policia e Kosovës e ka mbështetjen e vazhdueshme edhe nga OSBE-ja e aleatët e vendit.
“Që nga fillimi Policia e Kosovës ka pasur mbështetjen e OSBE-së dhe aleatët tanë. Kjo përkrahje, bashkë me angazhimin e vazhdueshëm të gjeneratave të reja, e bëjnë policinë tonë më të fortë, më të përgatitur dhe gjithnjë profesionale për të vendosur rend e për të siguruar sundim ligji.. Si qeveri kemi ofruar mbështetjen e parezervë për policinë tonë, e besoj që ia kemi dalë”, ka thënë tutje Kurti.
Më tej, Kurti ka deklaruar se Policia e Kosovës vazhdon të vlerësohet si institucioni me besueshmëri më të lartë nga qytetarët e vendit./Njeshi/