2.3 C
Pec
E hënë, 22 Prill, 2024

Kurti në Gjakovë: Është jetike që derisa i kemi dëshmitarë gjallë me urgjencë të adresohen krimet e kryera në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve nga familja Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi në Gjakovë në përkujtim të 25-vjetorit të masakrës nga forcat e armatosura serbe.

Ai tha se vrasja e civilëve të pambrojtur e më pas djegia e kufomave është dëshmi e gjenocidit të Serbisë.

“Vrasja e fëmijëve edhe foshnjave, e pleqve dhe plakave, e grave e civilëve të pambrojtur në shtëpitë e tyre, dhe më pastaj djegia e kufomave është dëshmi e gjenocidit të Serbisë që u përpoq ta shfarosë popullin tonë.”

Kurti tha se Gjorgjeviq është dënuar një herë me 27 vjet burgim e më pas i është zbritur dënimi në 18 vjet.

“Për këtë rast është dënuar shefi i Sigurisë Publike të Serbisë, gjenerali Vllastimir Gjorgjeviq, njëherë me 27 vjet burg, e më pastaj ia kanë zbritur në Tribunal të Hagës në 18 vjet burg, mirëpo ai ka qenë një urdhërdhënës, i cili ka qenë dora e djathtë e Millosheviqit në këtë operacionin “Patkoi”. Mirëpo, ekzekutorët e tjerë janë me dhjetëra, janë me qindra edhe ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Fillimisht në vitin 2019, e më pastaj edhe në vitin 2022 me Kodin e Procedurës Penale dhe plotësim-ndryshimin, ne e kemi mundësuar që kriminelët të përndjeken, të gjykohen, të dënohen edhe në mungesë.”

Ai ka thënë se është jetike të adresohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Andaj, është jetike që përderisa i kemi dëshmitë dhe dëshmitarët të gjallë, që me urgjencë të adresohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë në mënyrë që plagët të mbyllen me drejtësi. Përderisa nuk ka drejtësi edhe plagët vazhdojnë të kullojnë. Nga ne e keni gjithë solidaritetin institucional e njerëzor, e qytetar, e kombëtar dhe juve ju faleminderit. Shprehim mirënjohjen e thellë si dhe përkulemi para sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Të gjithë atyre u qoftë lavdi!”/Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...