24.2 C
Pec
E shtunë, 19 Qershor, 2021

Kurti në homazhet për këngëtarin Ismet Bogujevci: Kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur lule dhe ka bërë homazhe para arkivolit të këngëtarit, Ismet Bogujevci, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Bogujevci, u nda nga jeta një ditë më parë.

Në deklarimin para mediave pas homazheve, kryeministri Kurti shpalosi dromca kujtimesh nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci. 

Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim  të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.

“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, rikujtoi kryeministri Kurti.

Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.

“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, tha kryeministri Kurti./Njeshi/

- Advertisment -

Të fundit

Radio 1 – Live Radio 1 – Live
LIVE OFFLINE
track image
Loading...