Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada e Holandës në Kosovë, me rastin e festimit të Ditës së Mbretit.
Duke uruar aleatin tonë dhe shtetin mik të Holandës, kryeministri Kurti tha se Holanda i ka qëndruar pranë Kosovës: nga ndërhyrja e NATO-s që ndaloi gjenocidin, deri te njohja e pavarësisë sonë, mbështetja e integrimit tonë në organizatat ndërkombëtare dhe zhvillimit përmes programit MANTRA
Kurti theksoi rëndësinë e Holandës dhe qytetit të Mastrihtit, aty ku reformat më të rëndësishme të traktateve themeluese të BE-së morën formë.
“Traktati i Mastrihtit hapi rrugën për euron – një monedhë që sot e ndan dhe përdor edhe Kosova. Traktati i Mastrihtit prezantoi gjithashtu Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, e cila vazhdon të udhëheqë veprimtarinë e BE-së, si jashtë ashtu edhe në raport me Republikën e Kosovës – përmes Zyrës/Përfaqësisë së BE-së në Kosovë, dialogut për normalizim, Përfaqësuesve të Posaçëm të BE-së, EULEX-it dhe shumë iniciativave dhe mekanizmave të tjerë”, tha Kurti, njofton kabineti i Kryeministrit.
Gjersa veçoi rëndësinë e Holandës në fushën e agrikulturës dhe teknologjisë me prodhimin e materialeve gjysmëpërçuese, kryeministri Kurti tha se epoka e Artë e Holandës nuk kufizohet vetëm në udhëheqjen e saj të shekullit të 17-të, por ajo vazhdon të reflektohet në ndikimin e jashtëzakonshëm të vendit sot dhe në shoqërinë që ka lulëzuar nën mbretin Willem-Alexander.
Në vijim, ai tha se Holanda është një burim i madh frymëzimi edhe si anëtare themeluese e organizatave të rëndësishme të brezit tonë dhe jo vetëm, si NATO dhe BE-ja.
Kurti e përfundoi fjalën e tij duke thënë se le të shërbejë kjo ditë për ta kujtuar Holandën edhe si një shembull të ndritshëm të udhëheqjes me inovacion dhe formësimit të një të ardhmeje që është edhe e guximshme dhe progresive. /Njeshi/